AAK’ja s’konsideron se po dëmtohen marrëdhëniet Kosovë-Amerikë

0

Taksa nuk do të hiqet derisa kryeministër të vazhdojë të jetë Ramush Haradinaj. Kështu thotë Rasim Selmanaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Selmanaj ka thënë se takimet me kryeministrin janë të rregullta dhe në takimin e sotëm është diskutuar çështja e platformës, e sigurisht edhe taksa e temat e tjera aktuale.

“Qëndrimi i AAK-së vazhdon të jetë i njëjtë, pra taksa mbetet në fuqi. Qeverinë amerikane – SHBA e kemi aleatë, mik e partnerë dhe i kuptojmë si kërkesa të miqve tanë, por ne po mundohemi të japim argumentet tona se taksa do të sjellë njohjen e Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë sanksione të tjera, megjithatë është një situatë jo e këndshme, por ne vazhdojmë të jemi të bindur se taksa duhet të mbetet por nuk vjen në shprehje të dëmtohet miqësia me SHBA-në”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV’së.

Selmanaj ka deklaruar se taksa shkon në favor të dialogut.

“Kemi dallime në këtë temë, por jemi të bindur se taksa është në favor të dialogut. Mendoj se me vendosje të taksës Serbisë po i ngutet, e kjo është mirë. Por në këtë rast nuk duhet të ketë kushte nga ana e tyre. Taksa është një vendim legjitim dhe shkon në favor të dialogut, përkatësisht Kosovës në bisedimet me Serbinë”, është shprehur ai.

Më tutje ai ka shtuar se, “nuk mendoj se po dëmtohen raportet me SHBA-në, jemi në një momentum ku kemi dallime, por raportet do të vazhdojnë të jenë mirë siç kanë qenë edhe më parë”.