Përfaqësues të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) dhe Albanians for America (AFA) kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm me dy kongresmenë amerikanë me ndikim: Rep. Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë, dhe Rep. Zach Nunn, përfaqësues nga shteti i Iowa-s.
Gjatë takimit u diskutuan çështje kyçe për rajonin e Ballkanit, përfshirë kërcënimet nga Rusia dhe Kina, rolin strategjik të SHBA-së, si dhe mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në vendet me shumicë shqiptare. Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua hapa të mundshëm për afrim të Kosovës me NATO-n, përmes ndërmjetësimit dhe partneritetit të drejtpërdrejtë amerikan.
Takimi vuri në pah bashkëpunimin në rritje mes AARC dhe AFA, dhe u përshëndetën përpjekjet e Dr. Doc Vranicit dhe Gino Mulliqit për fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në nivel institucional.
Ky zhvillim konfirmon angazhimin e shtuar të faktorëve shqiptarë për të ndërtuar ura më të forta me SHBA-në dhe për të avancuar interesat strategjike të shqiptarëve në rajon.