ABAZ KUPI HEROI YNË I HARRUAR

Picture of Iliria News Agency
Iliria News Agency

12/01/2023

Eugen Shehu

Trojet shqiptare janë ruajtur në shekuj prej bijëve të vet.Sa herë që ata kanë parandjerë rrezikun , kanë klithur me ate zë të dhmisur,ç’ka vetëm bijtë e denjë e kanë dëgjuar.Këta bij,anipse ende anonimë (për turp të historiografisë sonë) i kanë dalë zot trojeve të mëmëdheut duke dëshmuar pos trimërisë,edhe dahsurinë e tyre ndaj çdo pëllëmbe të tokës shqiptare.Pa pyetur për kuvende e thirrje,pa dashur të marrin pozat e udhëhqësve të mëdhenj,këta djem a burra,të heshtur,duke ngarendur në vijën e parë për lirinë e atdheut,ngarendnin njëherazi në pavdeksinë e tyre.I tillë trim dhe i pafriguar askurrë,do të mbetet në zemrën e kombit të vet,edhe Abaz Kupi,prijësi popullor me die e synime të qarta kombëtare.

Lindi në Krujë,më 1891.Lindi në ate qytet të gurtë,të Shqipërisë ku për të parën herë në historinë e popullit tonë,Gjergj Kastriot Skenderbeu,me një tufë trimash,shkruan legjendën shqiptare të mospërkuljes.Bedenat e kalasë madhështore,ende sot,mbartin në kujtesën e tyre shungullimat vigane të luftërave.I jati i Abazit njihej në Krujë e rrethina për trimërinë e saj ndaj formacioneve të ushtrisë osmane.Ai disa herë ish burgosur prej tyre por sidoqoftë askurrë s’e pat ndaluar luftën në dobi të bashkëkombasve të vet,për të flakur tutje natën e gjatë osmane.Pagëzimi i parë i Abaz Kupit,në rrafsh të luftërave për lirinë e trojeve amtare,është viti 1913.Mbas disa luftimesh të gjata,ku çetat e trimave krutanë,mundën të zbrapsin serbët,në kalanë e legjendave u ngrit flamuri i ynë kuq e zi,ai flamur për të cilin plaku i urtë i Vlorës,përshkroi male e dete të tërë vuajtjesh e brengash.Gëzimi i popullit të Krujës,sidoqoftë zgjati vetëm pak ditë,ngase mjaft elementë ,të nxitur natyrisht prej qarqeve pro osmane të kohës,e zëvendësuan flamurin tonë me ate të gjysëmhënës. Abaz Kupi, i cili asaj kohe ishte në udhëheqje të një çete trimash,natyrisht nuk do të heshte.Edhe pse në veprimet e komiteteve shqiptare të atyre viteve,ndihej shpesh një lloj pavarsie dhe impulsiviteti,djaloshi 22 vjeçar mendoi të mos hakmerrej në kokë më vete.Nisiator i takimeve të fshehtë,tepër trim por edhe i përmabjtur,Abaz Kupi (apo thirruri shpesh Bazi i Canës),organizoi një takim të kryetarëve të çetave,duke kërkuar prej tyre që t’i jepej e drejta të hakmerrej mbi personin që kishte dashur të përdhoste flamurin kombëtar.Burrat e krujës,duke e njohur kaçakun e famshëm,i japin leje e ndërkohë i afrojnë edhe ndihmën e tyre.Të nesërmen e atij tubimi,ka ndodhur ditë pazari e pikërisht,në mes të rrugëve të tij,është dëgjuar krisma e kubures dhe zëri i Abaz Kupit ; „Ta dish mirë se tue dash me u tall me flamurin tonë,je vue në gjak me krutanët e krejt burrat e Shqypnisë!“.

Ç’prej asaj dite e decenie me radhë,flamuri kuqezi valoi i lirë në bedenat e kalasë së Skenderbeut.

Vitet 1914-1918,atëherë kur për shkak të Luftës së Parë Botërore,Shqipëria u kthye në teatër të veprimeve luftarake të fuqive të ndryshme evropiane,do të dimensiononin më së miri,karakterin e luftëtarit Abaz Kupi.Tashmë jo në krye të një çete,por si komandant i të gjitha forcave të Krujës,Abaz Kupi do të ishte i pranishëm në disa beteja të rëndësishme.Kështu lufta e zhvilluar në Kakarriq të Shkodrës,do të mbante si ideator kryesor të asaj Bazin e Canës i cili anipse nuk pat mbaruar akademi të larta ushtarake,dijti të organizojë si një ushtarak i talentuar çetat e vullnetarëve,duke korrur një fitore tepër të vështirë.
Edhe në vitet 1918-1920,pushka trimërore e djalit të Krujës nuk do të heshtete,sidomos në kufijtë verior të Shqipërisë.E vërteta është se Kruja me rrethina pak është kërcënuar prej serbëve,por një atdhetar vizionar si Abaz Kupi,parashihte situatat në rrjedhat e tyre,për krejt Shqipërinë.Janë të njohura disa beteja të burrave të Krujës,të udhëhequr prej birit të tyre në Dibër e Shkodër ku do të farkëtohej edhe miqësia e ngushtë e Abazit me Bajram Currin.Në këto beteja,ka gjëmuar e para pushka e trimit të Krujës dhe kjo është bërë me qëllim prej trimave.Fjala është që serbët e malazezët të kuptonin përgjithmonë,se kufijtë e Shqipërisë do të mbroheshin prej trimave,anipse këtë mund të vinin prej Kruje,Elbasani apo Vlore.Pikërisht në këto vite betejash të repta,nuk duhet të harrojmë se armiqtë e Shqipërisë bënë çmos që të zhduknin birin e Krujës.Janë tri-katër rrethime të serbëve,që i kanë bërë kullës së Abaz Kupit.Por me t’u ndjerë pushka e tij,drejt kullës kanë vrapuar qindra luftëtarë,me ç’rast edhe serbët s’ia kanë mundur qëllimit të tyre.Por fatkeqsisht,dy herë ato kulla janë djegur,duke dëshmuar kësisoj miqësinë e verbër të shovenistëve serb ndaj atdhetarit të madh. Qeveria shqiptare e dalë nga kongresi i Lushnjës,nisur nga detyrat parësore për ruajtjen e tërësisë toksore të kufijve shqiptarë,ndërmorri një varg masash organizative.Ndër to ishte edhe gradimi i disa oficerëve,të cilët para dhe pas kongresit të Lushnjës patën dëftuar shembuj heroizmi në krye të çetave të tyre,për lirinë e trojeve amtare.Ndër ta,në ngjarjet e Mirditës më 1920.Në këto beteja,në fakt,Abaz Kupi,do të njihet nga afër edhe me personalitetin e Ahmet Zogut.Të dy këta burra,u qëndruan më vonë së bashku,dallgëve që goditën atdheun.Ata u lidhën me një miqësi të shenjtë ku ndriçonte kurdoherë ndjenja e fuqishme e dashurisë për trojet stërgjyshore.

Në fillim të viteve 20 e deri në prag të 7 prillit 1939,Abaz Kupi,në detyrën e majorit të xhandarmërisë,e shohim të veprojë në Krujë,Laç,Lezhë,Milot,Durrës,Peqin e gjetkë.Kudo në çdo problem,ai do të priret kurdoherë nga interesat e larta të atdheut duke shkelur mbi çdo meskinitet të jetës së atëhershme shqiptare.Parimor,tepër i ashpër me kriminelët,por i butë me popullin e vuajtur,Abaz Kupi do të mund të vendoste rregull e qetësi në krejt vendet ku punoi.Për më tepër,në këtë periudhë,me porosi të Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve,trimi i Krujës do të shkonte shpesh në kufijtë veriorë të Shqipërisë.Kontaktet e tij me miqtë e vjetër,me kapedanët e çetave komite të Veriut,do të ishin kurdoherë të sinqerta ngase të tilla ishin ato ç’prej fillimit të shekullit.Janë një sërë urdhërash e dokumentash,që provojnë se në pikëpamje të rikonstrukturimit të gjandarmërisë shqiptare,Abaz Kupi,u prir kurdoherë në ndershmërinë dhe trimërinë pikërisht të këtyre prijësve popullorë.Sigurisht ajo çka ndriçon madhërisht figurën e atdhetarit të Krujës,është padyshim,qëndresa e tij heroike,në prillin e zi të vitit 1939.

Nuk është rasti të kujtojmë këtu shkaqet e pushtimit fashist por sidoqoftë,na jepet të themi se sulmi italian që përgaditej mbi shqipërinë,ishte prologu i dramës sonë të madhe.E vërteta është,që në ditët e para të prillit,Evropa parapa sulmin që do të ndodhte.Ishin edhe disa patriotë shqiptarë që lajmëruan kancelaritë e shurdhta evropiane mbi këtë sulm barbar.Dihet se mbreti Zog,ka thirrur në prag të sulmit fashist Italian,Abaz Kupin i cili në ate kohë ishte komandant i xhandarmërisë së Durrësit.Mbreti duke ditur se veprimtaria personale e tij do të varej prej qëndrimit të Këshillit të Lartë,udhëzon Bazin e Canës si mik e vëlla,mbi çka duhej të bënte.Pas atij takimi me mbretin e shqiptarëve,major Abaz Kupi,shkon menjëherë në Krujë duke i folur me gjuhë zemre,trimave të tij,atyre që se patën lënë vetëm as në situatat më të turbullta e të vështira.“Dy ditë para të premtes të zezë,Abaz Kupi ishte në Krujë.Shumë fëmijë ishin grumbulluar në pjacë,në kohën që vullnetarët po hynin në makina duke iu përgjigjur thirrjes se Abaz Kupit për të luftuar në Durrës.Për këtë rast,unë mbaj ndër mend një ngjarje,po me kuptim shumë të madh.Një djalë fare i ri u drejtua tek makina e vullnetarëve.Abazi i tha se ishte shumë i vogël dhe e ndaloi të hipte në makinë.Djali pasi e shikoi drejt e në sy tha ; „Abaz Aga,Shqipëria është e të gjithëve,pra edhe e imja!“ Komandanti pasi ja përkdheli flokët,e hipi këtë djal në makinë,bashk me të tjerët“(Abaz Kupi dhe fallsifikatorët e Historisë“Gazeta„Atdheu“14.12.“44

Në Durrës,Abaz Kupi gjeti edhe qindra vullnetarë të tjerë që prisnin me duf në shpirt,të zbraznin armët,ndaj pushtuesve italian.Të ardhur nga Tirana,Ishmi,Preza dhe Kavaja,këto forca megjithëse kishin një armatim mjaftë të paktë,treguan devocion të jashtëzakonshëm duke u rreshtuar përgjatë bregut,në mbrojtje të lirisë.Brenda atyre pak orëve të mbetura,major Abaz Kupi,mundi të organizonte një mbrojtje sa më efektive.Ai kaloi gati në të gjitha pozicionet duke u dhënë porosi e sidomos zemër vullnetarëve trima.Ndërsa me forcat e xhandarmërisë,organizoi mbrojtjen në drejtim kryesor,në portin e qytetit,duke përcaktuar edhe vet pozicionin e tij. Si rrallëkush në historinë tonë,Abaz Kupi,ai komiti i Krujës,u gjend në një mëngjez prilli,në krye të qindra vullnetarëve,përballë dallgëve të Adriatikut dhe ushtrisë disa dhjetra mijëshe të Musolinit.Porosia e tij ishte e prerë.Lufta do të fillonte atëherë kur të shkrepte pushka e birit të Krujës.Disa italianë të Durrësit,duke parë këto pregaditje,nuk vonuan të takojnë Abaz Kupin.Të instruktuar prej mjeshtërve të tyre,në Itali,ata i kërkuan trimit të Krujës që ky të mos organizonte rezistencën dhe për këtë akt,do të mbulohej me flori.Por Abaz Kupi e parashihte mirë situatën.Ky do të përbënte një turp kombëtar duke i treguar botës se shqiptarët mezi kanë pritur pushtuesin fashist.Abaz Kupi revoltohet nga propozimi i këtyre mjeranëve dhe niset akoma më i vendosur në pozicionin e tij.

Agu i 7 prillit të vitit 1939,ka ardhur në Durrës,së bashku me ulërimën e dhjetra avionëve luftarak fashist si dhe me gjëmimin e topave.Dhe ka qenë pikërisht krisma e pushkës së Abaz Kupit, e cila ka nisur luftën e madhe të popullit shqiptar,ate luftë vigane që vazhdoi për vite me radhë ndaj fashizmit.Në fakt shkrepja e pushkës së trimit të Krujës,më 7 prill 1939,shënoi fillimin e atij akti madhor të mosnënshtrimit të popullit tonë përball çdo armiku e dhune.Në shkrehjen e pushkës së Abaz Kupit,ishte mbledhur krejt urejtja e një populli martir i vendosur tu dale zot fateve të veta. Lidhur me këtë ngjarje,historiografë të huaj,perëndimorë shkruajnë ; „Në orën 5.30,të mëngjezit të 7 prillit, e premte e shenjtë,Durrësi,Vlora,Shengjini dhe Saranda u sulmuan prej 40-50 mijë trupash,të mbështetura prej 400 aeroplanësh dhe dymbëdhjetë anijesh lufte.Duket se luftimet më të ashpra janë bërë në Durrës,ku populli i qytetit dhe një kontigjend i vogël trupash i dërguan nga Tirana,i bënë ballë me vendosmëri pushtimit.Mbrojtësit e qytetit,të udhëhequr nga Abaz Kupi,komandant i gjandarmërisë së Durrësit,ndonëse të pakët në numër dhe duke patur vetëm pesëdhjetë gjerdane me fishekë për njeri,mundën të zbrapsin valën e parë të sulmit italian.Pas tërheqjes së pushtuesit,anijet filluan të qëllonin me shrapnelle për shpërndarjen e qëndresës.Por në vedn që të tërhiqeshin,Kupi me njerëzit e tij u hodhën në sulm dhe mundën të zinin një ledh buzë detit“.(Bernd Fisher „Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri“ faqe 293).
Sigurisht qëndresa e atij grupi shqiptarësh me 7 prill të vitit 1939 do të mbante brenda saj,një simbolikë të madhe.Por vetëm kaq,ngase përballë një ushtrie që pregaditej të ndante Evropën,me histerinë e saj,rezistenca shqiptare do të ishte krejt e papërfillshme.Gjithsesi nuk duhet harruar se Abaz Kupi,për asnjë çast nuk mendoi se e pat përmbushur me nder detyrën.Edhe pse në tërheqje,për javë të tëra trimi i Krujës,organizoi një luftë të përsosur guerrillësh shqiptarë,duke i sjellë fashistëve italian dëme të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake.Tashmë emri i tij ishte kthyer në simbol të rezistencës antifashiste,madje për betejat e atyre ditëve,nuk mungonin edhe këngët e ngritura prej popullit të Shqipërisë së Mesme. Abaz Kupi,dënohet me vdekje në mungesë,prej fashistëve italian dhe shtëpia e tij në krujë ridigjet.Në kërkim të tij,janë vënë pastaj formacione të tëra të ushtrisë dhe zbulimit të fshehtë italian.Detyrohet prej këtyre ndjekjeve të lërë Atdheun dhe të shkojë në Stamboll.Aty natyrisht lidhet menjëherë me Mbretin Zog i cili ndodhej përkohësisht,pas largimit nga Shqipëria.Të dy së bashku përpiqen pa rreshtur për të ideuar një front të madh të rezistencës antifashiste duke u përqendruar sidomos në bashkimin e forcave nacionaliste shqiptare kudo ato janë.Në tetorin e vitit 1941,Abaz Kupi kthehet sërisht në atdhe.Tashmë për ate është e qartë se duhej të punonte e jetonte vetëm në ilegalitet të plotë ngase fashistët italian patën bërë ç’ishte e mundur për ta zënë.Kthimi i tij do të mbushte me gëzim,zemrat e qindra nacionalistëve që vepronin në Mat,Krujë,Shijak,Durrës si edhe rrethinat e Tiranës.Me aftësitë e tija ushtarake,Bazi i Canit i organizon këto forca më së miri dhe mbrenda pak muajve,janë një varg aksionesh të sukseshme ndaj fashistëve italian.Veçanërisht e bujshme,do të ishte beteja e Ishmit,në prillin e vitit 1942,ku forcat italiane lanë dhjetra të vrarë e të plagosur,ndonëse ishin dhjetëfish më të mëdha në numër se çeta e nacionalistëve.E vërteta është,se ndër idetë e këtij heroi komëtar,ka qenë kurdoherë ajo e lirisë së trojeve amtare,ndaj ai nuk shpëtoi të vendoste se nga ç’pozicion i forcave politike do të zhvillonte këtë luftë.Në mendjen e kthjelltë dhe shpirtin e madh të Abaz Kupit,parësore ishte lufta,trimëria dhe sakrifica për të mos kursyer as jetën për ardhmërinë e kombit të vet.Pikërisht për këtë,në Konferencën e Pezës,birin e Krujës e shohim së bashku me nacionalçlirimtarët,madje për meritat luftarake që i njiheshin zgjidhet edhe në Këshillin e Përgjithshëm të atij fronti.Por rreshtimi i Abaz Kupit në ate front,nuk mund të ndante shpirtin e madh të tij prej nacionalistëve shqiptarë.Në ditët e Pezës,ate e shohim të ketë biseda të ngrohta e krejt të sinqerta edhe me Hysni Lepenicën e Azis Çamin,me të cilët,dikur patën mbrojtur kufijtë e Shqipërisë.

Në dhjetorin e vitit 1942,është pikërisht ideja dhe organizimi i Abaz Kupit,për t’u sulmuar qyteti i Krujës.Ai hynte natën ilegalisht,bisedon me miqtë e tij dhe më pas përgadit sulmin nga ato anë,që ishin më pak të mbrojtura prej fashistëve italian.Duke përfituar nga dimëri i egër dhe ngase e njeh mjaft mirë terrenin,majori trim,viret vet në krye të një çete dhe sulmon qytetin në terrin e mbrëmjes. Garnizoni italian,pas disa orë luftimesh të ashpra,duke parandjerë rrezikun,largohet prej qytetit në përpjekje për t’u lidhur me forcat e veta në Tiranë.Pikërisht për këtë betejë,shtypi komunist i asaj kohe do të shkruajë ;“Në Krujën e Gjergj Kastriotit,sot e mban flamurin e luftës Nacionalçlirimtare, Bazi i Canit.Me djemtë e qytetit kreshnik ai e mori dhe do ta marri hakun e djemve të tij,dyfish dhe dhjetfish.Do ta gjakos okupatorin dhe larot e tij,ashtu siç i gjakosi më 7 prill në llogoret e Durrësit,por këtë herë me flamurin e fitores në krye“.(Gazeta “Zëri i Popullit“ 11 janar 1943 ).

Biri i Krujës,do të jetë ndërkaq edhe protagonist I ngjarjes madhore të Mukjes,aty ku u ndriçua për fare pak çaste, e shëndriti madhërisht vetëdija jonë kombëtare.Dihet tanimë se një letër e Mid’hat Frashërit që mban datën e 20 qershorit 1943 i drejtohet Abaz Kupit,me idenë se situata e krijuar kërkon një mbledhje të domosdoshme.Letra nuk u dorëzua dot,ngase korieri u kap prej italianëve.Sidoqoftë Abaz Kupi dhe Safet Butka,lidhur me këtë die për bashkimin e forcave shqiptare,kanë folur gjatë në po ate ditë,në Teqenë e Fushë-Krujës. Pas bisedave e takimeve të ndryshëm,Ballit Kombëtar i është dërguar prej nacionalçlirimtarëve një mesazh tepër i ngrohtë bashkëpunimi i firmosur prej Abaz Kupit,Myslim Pezës,Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit,ku pos të tjerave thuhej ;„ Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar,ngarkoi një delegacion të posaçëm me fuqina të plota,për të biseduar me vendosë mbi të gjitha punët dhe krtyesisht bashkimin e të gjitha forcave të kombit,në luftë kundër armikut.Delegacioni i caktuar propozoi një përpjekje sa më të shpejtë,me një delegacion të plotfuqishëm të organizatës „Balli Kombëtar“.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 20 , dosja 2,fleta 7 ).

Më pas Abaz Kupi,në 19 korrik 1943 realizon një takim me Mid’hat Frashërin dhe Hasan Dostin.E vërteta është se ka qenë pikërisht ky takim ku janë parashtruar pretendimet,pikëpamjet e deri platforma e konferencës së Mukjes.Pas këtij takimi,nacionalistët e vërtetë shqiptarë,jetuan me shpresën e madhe të bashkimit,sepse udhëhiqeshin kurdoherë nga ndershmëria dhe përkushtimi,në rrafsh të problemit kombëtar.Në Mukjen – tragjedi,major Abaz Kupi do të ishte ndër luftëtarët më të vendosur të bashkëpunimit ndërmjet dy forcave politike të kohës.Ai do ta mbronte me logjikë të mprehtë opsionin e Ballit Kombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës,njëherazi do të bashkohej me mendimin që në krye të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë,të vendosej një prej përfaqsuesve të Ballit.Pa u zgjatur në ato çka ndodhi pas Mukjes,vlen të mos harrohet prej historiografisë shqiptare,se heroi i Durrësit,është i pari që u shkëput prej atij fronti kur parandjeu tradhëtinë e madhe.Një letër drejtuar këshillit të Përgjithshëm nacinalçlirimtar,është lamtumira e fundit që Abaz Kupi u transmeton komunistëve së bashku me mesazhin që ai do të jetë kurdoherë luftëtar i radhëve të para për lirinë e trojeve shqiptare.

Ç’prej asaj dite e deri më sot,mbi Abaz Kupin është hedhur baltë paprerë,prej historiografisë komuniste dhe udhëheqësve mediokër të viteve të diktaturës.Por biri i Krujës nuk mund të tërhiqej asesi prej idealit të madh për shkak të këtyre sulmeve,të denja për fjalorin e serbo-çetnikëve.Përkundrazi,në ato vite stuhije për atdheun e vet,Abaz Kupi dijti të ndriçojë udhën e vet e të qindra nacionalistëve të ndershëm shqiptarë që udhëhiqte.Ai burrë që nuk u frigua më 7 prill të vitit 1939,nuk mund të frigohej prej disa komunistëve mjerënë shqiptarë që edhe përpara se të kolliteshin prej të ftohtit,duhej të merrnin leje tek „shokët“ jugosllavë.Në fakt,pas Mukjes biri i Krujës ndërmori një hap të zgjuar politik.Ai filloi të zgjonte në Shqipërinë e Mesme,Lëvizjen e Legalitetit duke paraparë në këtë zgjim,një tjetër mbështetje të fuqishme që mund t’i jepej nacionalizmit të vendit të vet.Brenda pak kohe kjo lëvizje u gjallërua dhe pas komandantit legjendar të 7 prillit,vinin qindra luftëtarë të vendosur,për të luftuar deri në çastet e mbrame të tyre, për idealin e shenjtë të lirisë.Me një qetësi të habitshme politike,Abaz Kupi,do të krijonte lidhje të ngushta me misonin angloamerikan i cili kish ardhur në Shqipëri.Këto marëdhënie ai do t’i konceptonte kurdoherë të ngushta,si në luftën kundër okupatorit ashtu edhe ndaj komunistëve që i serviloseshin Beogradit.Ka dokumenta që flasin edhe për përpjekje të gjermanëve në vitin 1944,me qëllim përfshirjen e tij në qeverinë shqiptare të kohës.Por ai nuk pranon ngase ai parandjenë rënien e Raihut të Tretë dhe gjithsesi „shpreson tek angloamerikanët“.(Arkivi i Institutit të Historisë, Dokumenti diplomatike angleze,numër 37/43/550 , datë 15 mars 1944 ).

Në krye të qindra nacionalistëve shqiptarë,tashmë Abaz Kupi,vepron në Shqipërinë e Mesme e deri në Mat ku influenca monarkiste është mjaft e madhe pranë shtabit të tij,tashmë vendoset edhe një mision anglez i kryesuar prej Maklinit duke u përpjekur të ndërlidhe sadopak këtë shtab me nacionalçlirimtarët.Por nga ana e tyre,komunistët e Tiranës,nuk mund t’ia falnin Abazit qëndrimin e tij pas Mukjes.Ata jo vetëm që nuk pranonin bashkëpunim me te por edhe luftonin brenda tyre ato zëra që kërkonin diçka të tillë.Parimi vetasgjësues i komunistëve „o me ne , o kundra nesh“, do të ishte i mjaftë për të kuptuar se në konceptet e tyre nuk mund të gjallonte demokracia dhe pluripartitizmi.Ata ishin ende çunakë për të kuptuar lojën e ndyrë të „vëllezërve“jugosllavë. Tashmë jo vetëm që nuk bëhej fjalë për bashkëpunim,por përkundrazi ishte lëshuar urdhëri për luftë frontale ndaj forcave nacionaliste.Brigada e IV dhe brigada e V,kishin marrë detyrë luftarake për të shkatëruar me çdo kusht forcat e Abaz Kupit.Në një telegram që shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë u dërgonte këtyre brigadave me 3 korrik 1944,thuhet ; „Ju keni lajmëruar,se duhet të mos bëni Bazin të grumbullojë forcat e të sulmojë në front,kundër nesh.Mos neglizhoni këto vërejtje pse përgjegjsia bie mbi shtabin e divizionit.“(Dokumente të shtabit të Përgjithshëm të UNÇ,faqe 466).

Edhe dy tri muaj të tjerë paskëtej,Abaz Kupi,lufton kundër me forcat komuniste. Ai do të mund të godiste pa mëshirë vëllezërit prej gjaku të tij,por shpirti i madh nuk ia lejon këtë.Mjaftohet vetëm duke çarë rrethinet njëri pas tjetrit,për tu larguar në vjeshtën e vitit 1944,përfundimisht nga Shqipëria.Për trimin e Krujës,tashmë fillojnë privacionet e atij emigrimi të lodhshëm e fatkeq.Lidhet sërisht me Mbretin Zog dhe nacionalistët e tjerë për të vazhduar rrugën enisur.Bashkëpunon sidomos me Mid’hat Frashërin për bashkimin e krejt nacionalistëve në një organizatë të vetme demokratike dhe antikomuniste,themelojnë në emigracion Komitetin Kombëtar Demokrat „Shqipëria e Lirë“.Lufton deri në fund,deri në ate muzg dimëri të 9 janarit të vitit 1976 kur mbyll sytë në Njy Jork në vetminë e madhe dhe të trishtueshme të emigracionit.

TË FUNDIT
15 orë
Tetovari diplomon në Columbian University në New York me bursë universitare!
15 orë
Koha që shqiptarët në MV të përfaqësohen ndryshe nga sa ka bërë për 20 vjet BDI-ja
1 ditë
Pritini kokën Albinit, por mos harroni interesin e Kosovës
1 ditë
Ramabaja: Edi Rama - ky inkarnim i Esat Pashë Toptanit
1 ditë
Kim Mehmeti: Piktori i përbuzi të gjithë votuesit e Kurtit

ME TE LEXUARA

15 orë
Koha që shqiptarët në MV të përfaqësohen ndryshe nga sa ka bërë për 20 vjet BDI-ja
15 orë
Tetovari diplomon në Columbian University në New York me bursë universitare!

LEXO MË SHUMË

IMG_2189

Tetovari diplomon në Columbian University në New York me bursë universitare!

ali

Koha që shqiptarët në MV të përfaqësohen ndryshe nga sa ka bërë për 20 vjet BDI-ja

andi-bushati

Pritini kokën Albinit, por mos harroni interesin e Kosovës

IMG_2183

Ramabaja: Edi Rama – ky inkarnim i Esat Pashë Toptanit

kim-mehmeti

Kim Mehmeti: Piktori i përbuzi të gjithë votuesit e Kurtit

IMG_2183

Dyfytyrësia e sjelljeve të Kryeministrit Rama: Nga ngrohtësia me Vuçiç te ftohtësia me Kurtin dhe pasojat për Kosovën

adnan azizi

Piskamat për pushtet, para dhe pisllëk!

matura-shteterore-provimi

Matura shtetërore do të mbahet më 1 dhe 8 qershor, nxënësit: Jemi të gatshëm për çdo sfidë

nexhat

Diplomacia e globalizimit

INFO

NA NDIQ