Mali i Zi po mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Dritan Abazoviq.
Abazoviq është i bindur se partia që drejton ka dhënë kontribut të madh për vendin dhe se duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Ai se është herët të flitet nëse do të jetë sërish pjesë e kabinetit qeveritar, si kryeministër apo ministër, pasi votimi ende po vazhdon.
Megjithatë, kreu i lëvizjes qytetare, URA, u shpreh i bindur që koalicioni i tyre do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme në Malin e Zi.
“Mendoj se është herët me fol, por jam i bindur se koalicioni jonë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhme. Çfarë nënkupton ajo, do ta shohim në javët e ardhshme”, pohoi ai.
Abazoviq më tej deklaroi se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë sesa tani dhe se kurrë nuk kanë pasur përfaqësim më të madh sesa tani në qeveri apo në institucionet e ndryshme.
Mehmet Zenka, deputet i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministri në largim, Dritan Abazoviq gënjen kur shprehet se shqiptarët janë më të përfaqësuar se kurrë në Malin e Zi.
Sipas tij, situata është e kundërta dhe jo vetëm shqiptarët, por të gjitha pakicat janë shumë pak të përfaqësuara dhe tepër të diskriminuara.
“Kurrë nuk ka qenë situata më keq, veç viteve 92’ kur ishte lufta në Mal të Zi, në atë gjendje janë shqiptarët. Nuk ka luftë, por retorikë është e njëjta. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më pak të përfaqësuar se kaq”, kështu tha Mehmet Zenka.
Ai me ironi shton se Abazoviq pretendon se vetëm duke qenë shqipfolës ai i përfaqësojnë të gjithë shqiptarët, por në të vërtetë vetëm e kanë ulur nivelin e subjektivizmit të shqiptarëve në Malin e Zi.
Ai tha gjithashtu se retorika serbe është ashpërsuar edhe më shumë ndaj shqiptarëve.
“Ushtria të kthehet në Kosovë, ushtria të kthehet në Prizren, Kosova është një shtet artificial, Kosova një shtet terrorist, kështu ishte retorika e serbëve dhe kryeministri në detyrë thotë se ne shqiptarët jemi më të përfaqësuar se kurrë. Në të vërtetë ne shqiptarët dhe të gjitha pakicat jemi në një situatë shumë të vështirë në Malin e Zi”, pohoi ai.
Këto janë zgjedhjet e treta brenda nëntë muajve dhe të parat pa Milo Gjukanoviqin si lider të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), i cili pas tri dekadash është tërhequr pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka pësuar humbje nga kandidati i lëvizjes, “Evropa Tani”, Jakov Millatoviq.(INA)