Abdixhiku pse nuk është në listën e Qeverisë Hoti, flet Isa Mustafa

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës në detyrë, Lumir Abdixhiku, nuk ka pranuar të jetë kandidat për ministër në Qeverinë e ardhshme që pritet të votohet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.

“Zotëri Abdixhiku ka deklaruar se nuk dëshiron që të jetë ministër. Ne ia kemi kërkuar edhe sot, por ai nuk ka pranuar”, ka thënë Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së në të cilën është miratuar lista e kandidatëve për anëtarë të qeverisë së ardhshme të Kosovës që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në listën e kandidatëve të LDK-së për anëtarë të kabinetit të ri qeveritar janë të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar në detyrë, përveç Lumir Abdixhikut.

Vetë Abdixhiku nuk është deklaruar fare lidhur me këtë çështje.

Në listen e kandidatëve të LDK-së për anëtarë të qeverisë së re janë edhe Driton Selmanaj, Armend Zemaj dhe Arban Abrashi. Ky I fundit ka qenë ministër edhe në qeverinë e koalicionit PDK-LDK që udhëhiqej nga Isa Mustafa. Kjo qeveri ishte rrezuar me mocion votëbesimi.