Për nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe, por në përgjithësi, edhe për arsimin shqip, në rajonin e Kumanovës dhe Likovës sot ishte ditë historike. Abetarja e unifikuar për herë të parë sot u gjend edhe në duart e nxënësve të klasave të para të shkollave të atjeshme.
Këtë akt historik, në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, e mundësuan zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, si dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, prof. dr. Skender Asani, të cilët edhe morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së abetares së unifikuar Shqipe për nxënësit e shkollë fillore komunale “Bajram Shabani” në komunën e Kumanovës.
Gjithashtu ky delegacion me ceremoni të njëjtë shpërndanë abetaren e unifikuar shqipe edhe në komunën e Likovës, respektivisht në shkollën fillore “7 Marsi” në fshatin Opajë të kësaj komune.