Absurdet në ambientin tonë letrar

Picture of Ina Online
Ina Online

04/03/2025

Shkruan: Shkëlzen HALIMI

Ambienti ynë letrar fatkeqësisht po përshkohet me lloj-lloj absurde të natyrave të ndryshme. Se kemi zhvendosje të vlerave, kjo më nuk paraqet asnjë risi. Ata që i përcjellin rrjedhat letrare, kanë vërejtur se si po vërshojnë “poetët” nga të gjitha anët. Në këtë vërshim më nuk ka asnjë mburojë, nuk respektohet asnjë kriter. Motoja e tyre është thjeshtë: shkruaj, shfrytëzo rrjetet sociale dhe brenda natës “faktorizohu”. Aq shumë abuzohet me letërsinë, sa që sikur po shndërrohet në një dukuri normale, pa të cilën nuk mund të jetohet.

Është e habitshme, por aspak e çuditshme se si anonimëve brenda natës u hapen “portat” e suksesit dhe depërtojnë atje ku vërtet nuk e kanë vendin dhe ku thjeshtë realisht e turpërojnë letërsinë shqiptare. Si është e mundur që disa anonimë në hapësirat shqiptare të gjejnë shteg dhe prezantohen nëpër “revista” të ndryshme të huaja që sajohen nëpër rrjetet sociale! Bëjnë vet-prezantime të çuditshme sa që dikujt i kujtohet të ndajë edhe epitetin:“fenomen letrar”, pavarësisht se akoma gjendet e mbuluar me plafin e amatorizmit, kurse të shumtë janë ata, mbase ka edhe krijues të mirëfilltë, të cilët u duartrokasin këtyre budallallëqeve.

Në rrjetet sociale do të gjesh edhe individë që vetes ia atribuojnë disa kategori aftësie, të cilat bien në rrafshin e humorit të zi, si: drejtore ekzekutive e revistave fizike, gazetare, shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese e kështu me radhë. Këta individë për çdo ditë bëjnë hari-kiri në emër të përkthimit dhe askush nuk lodhet të shohë se çfarë në fakt përkthejnë dhe si përkthejnë, kurse përkthyesit e tillë fare nuk skuqen që si mjet përkthimi përdorin kryekëput GOOGLE TRANSLATE.

Mungesa e një rendi të mirëfilltë, mungesa e kritikës, e debatit, ka bërë që të shpërthejnë sythët e “shkrimtarëve” anonimë, e përkthyesve diletantë, të cilëve u është bërë mendja top se çka do që ata shkruajnë e përkthejnë, është vlerë artistike. Janë po këta që gjithnjë veprojnë me logjikën e profitit dhe sipas parimit: UNË JAP – TI JEP (veta e tretë rrezikon pazarin). Por, në këtë të keqe, ndonjëherë paraqitet ana tjetër e medaljes, sepse, siç thonë, gënjeshtra i ka këmbët e shkurta dhe në fund të ditës del lakuriq e vërteta e pazarit të autorëve të këtyre matrapazllëqeve.

Shkrimtari Mehmet Kraja me një rast do të thotë se “konformizmin e shkrimtarëve, që ndonjëherë është eufemizëm për heshtjen e detyrueshme, e kanë dëshiruar të gjithë sunduesit, që nga antika e deri më sot, e kanë dëshiruar të gjitha diktaturat, ndërsa pushtetet demokratike detyrimin e heshtjes e kanë zëvendësuar me mospërfillje arrogante”. Një vlerësim ky shumë i mirë i shkrimtarit Mehmet Kraja. Shoqërisë shqiptare, fatkeqësisht, e keqja nuk i ndahet, aq më tepër e keqja nga vetvetja. Për çdo ditë ndodhin ngjarje të ndryshme, që nuk i shkojnë për shtati imazhit të identitetit të kësaj shoqërie. Edhe përkundër pritshmërive se do të do të ketë reagime konstruktive, inteligjencia, përkatësisht bota artistike shqiptare, me ndonjë përjashtim të vogël, vazhdimisht zgjedh të mrizojë dhe të qëndrojë në këndet e margjinave të ngjarjeve të shëmtuara.

Në fakt, nuk duhet të habitem me këtë konformizëm, sepse në hapësirat shqiptare ka edhe lloj-lloj “artistë”. Bie fjala, ka “artistë” që s’mërziten për asgjë dhe investojnë vetëm në imazhin e tyre. Ka “artistë” (përfshi edhe përkthyes) që mendojnë se bota sillet rreth tyre. Ka grupime “artistësh” që jo vetëm e pëlqejnë njëri tjetrin në rrethin që i takojnë, por edhe vetë-pëlqehen, duke mos lejuar askënd të futet brenda rrethit të tyre, duke organizuar “manifestime” e argëtime të ndryshme e duke zhvatur taksat e popullit. Ka “artistë” që e shesin dinjitetin e tyre për pak lekë, duke qëndruar më afër biznesmenëve dhe duke u thurur atyre elozhe të shumta.

Ka “artistë” që shpërndajnë mjegull, nihilizëm, gënjeshtra. Ka “artistë” që presin vetëm momentet e duhura për ta nxjerrë në pah “patriotizmin” e tyre dhe për ta shitur me çmim të lartë. Ka të ashtuquajtur përkthyes që i gjuajnë fillestarët dhe u përkthejnë poezi edhe në “tunguzishte”! Ka të ashtuquajtur shkrimtarë që bëjnë biznes, duke i mashtruar sidomos disa entuziaste, të cilat me shumë lekë e blejnë botimin e “krijimeve” të tyre. Ka shkrimtarë që pa fije turpi “huazojnë” vargje nga autorë të huaj e i “shesin me etiketë origjinali”. Të gjithë këta të ashtuquajtur artistë mendojnë vetëm për vete dhe assesi edhe për artin shqiptar.

E po tash shtrohet pyetja: a ka artistë që mendojnë me logjikë të shëndoshë? Përveç disave që mund të numërohen me gishta të duarve dhe që akoma jetojnë me dinjitet dhe ecin vertikalisht, pjesa dërmuese, të dehur nga lakmitë e llojllojshme, e kanë humbur rrugën në oborrin e tyre. Fatkeqësisht, absurdet në ambientin tonë letrar nuk përfundojnë…

TË FUNDIT

Protesta në Koçan, tubim në Shkup! Qeveria thirrje: Të mos pengohet hetimi me thirrje për destabilizim

Pesë orë takim mes ShBA-së dhe Ukrainës në Riad, Zelensky: Puna e delegacioneve vazhdon

Livia për Eglin: Po luan me informacione nga jashtë…

Jozi thyen çelësin brenda kutisë së emergjencës – zgjedh Loredanën për të kaluar 24 orë në suitën luksoze (VIDEO)

Kapet kamioni me 90 kg drogë në Itali, arrestohet shqiptari dhe rumuni

Kapiteni Rrahmani: Fitore historike

ME TE LEXUARA

1
Protesta në Koçan, tubim në Shkup! Qeveria thirrje: Të mos pengohet hetimi me thirrje për destabilizim
1
Pesë orë takim mes ShBA-së dhe Ukrainës në Riad, Zelensky: Puna e delegacioneve vazhdon
1
Livia për Eglin: Po luan me informacione nga jashtë…
1
Jozi thyen çelësin brenda kutisë së emergjencës – zgjedh Loredanën për të kaluar 24 orë në suitën luksoze (VIDEO)
1
Kapet kamioni me 90 kg drogë në Itali, arrestohet shqiptari dhe rumuni

LEXO MË SHUMË

Protesta në Koçan, tubim në Shkup! Qeveria thirrje: Të mos pengohet hetimi me thirrje për destabilizim

Pesë orë takim mes ShBA-së dhe Ukrainës në Riad, Zelensky: Puna e delegacioneve vazhdon

Livia për Eglin: Po luan me informacione nga jashtë…

Jozi thyen çelësin brenda kutisë së emergjencës – zgjedh Loredanën për të kaluar 24 orë në suitën luksoze (VIDEO)

Kapet kamioni me 90 kg drogë në Itali, arrestohet shqiptari dhe rumuni

Kapiteni Rrahmani: Fitore historike