Reprezentuesi i Maqedonisë, Arijan Ademi deri në verë do të qëndrojë në Dinamo e Zagrebit, pavarësisht insistimit të tij për t’u larguar në këtë afat kalimtar dimëror. Ai tanimë ka mbushur 12 vite si lojtar i gjigantit kroat, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Mediat kroate raportuan se Ademi patjetër do të qëndrojë për të ndihmuar skuadrën të fitojë një titull të ri kampionati në garën me Hajdukun e Splitit, diçka që ishte e qartë dhjetë ditë më parë me qëndrimin e prerë të trajnerit Ante Çaçiq se vetëm portieri Dominik Livakovic mund të largohet me kusht që klubi i interesuar të paguajë 10 milionë euro.
Qëndrimi i Çaçiqit, i cili ndërkohë përveç trajnerit mori postin e drejtorit sportiv, mbeti edhe pasi Ademi erdhi në takim me menaxherin e tij me dy oferta për transferim, por dëshira e luftëtarit të pakompromis për t’u larguar nuk do të jetë plotësuar deri në verë, sepse trajneri i tregoi se duhej të qëndronte sepse po bashkonte dhomën e zhveshjes.
Ndërkohë, Dinamo i ka shpallur kontratë të re, përmendet “kontrata e përjetshme”, pra pas përfundimit të karrierës ose do të jetë trajner në shkollë (për momentin Ademi studion për licencë) ose do të marrë edhe rolin e drejtorit sportiv, gjë që nuk do të ishte e papritur sepse kapiteni është favorit në Zagreb.
Adana Demirspor e Turqisë, Valencia e Spanjës dhe një klub i paidentifikuar nga Arabia Saudite janë shumë të interesuar të shohin Ademin në radhët e tyre. Mediat kroate theksojnë se e vetmja mundësi që Ademi të largohet në pesë ditët e fundit është nëse ka urdhër nga “autoritetet më të larta”.