Arbër Ademi nga BDI ka reaguar ndaj punësimeve të fundit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi siç thotë, “nga 23 të punësuar, vetëm 3 janë shqiptarë”, përcjell TV21.
Me këtë, sipas tij, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi nuk “respekton as gjuhën shqipe dhe përfaqësimin e shqiptarëve”.
Më tej Ademi ka kritikuar edhe Qeverinë.
“Zaten, në këto gati 8 muaj të qeverisjes pa legjitimitet etnik, e përbërë nga humbës të shumëfisht të zgjedhjeve, jo që realizimi është 0, por janë shënuar edhe hapa rapid mbrapa, veçanërisht në aspekt të minimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe rivendosjes së jobarazisë në çdo pore të jetës institucionale dhe shoqërore.
Në rrethana të këtilla kur në pushtet kemi njerëz që janë jashtë çdo trajektore të vërtetë kombëtare, e që për primare kan interesin individual dhe të ngusht klanor në kurriz të interesit të përgjithshëm, ndëshkimi nga qytetarët është i pashmangshëm”, shkruan Ademi mes tjerash.
Ai ka bërë të ditur se Bashkimi Demokratik është duke tejkaluar përmasat e organizimit politik dhe po shndërrohet në lëvizje të përgjithshme kombëtare.
“Në anën tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim është duke tejkaluar përmasat e një organizimi të zakonshëm politik, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në një lëvizje të përgjithshme kombëtare.
S’ka pikë dileme, me këtë Qeveri, qytetarët më të mashtruar se kurrë, më të poshtëruar se kurrë janë tani, kur në pushtet janë njerëz që asnjëherë nuk e morën besimin e qytetarëve”, bëri të ditur Ademi.