Agim Nesho
Kosova dhe Shqipëria akoma nuk po gjejnë qetësinë në shpirtin e trazuar të kombit nga protagonizmi i politikanëve dhe dëshira e tyre për të lënë gjurmë në histori. Disa nga ata kanë veshur kostumin e “babait të kombit”, ndërsa kanë pranuar të jenë argatë të nacionalistëve serbë dhe disa të tjerë që përpiqen ta ndalojnë këtë maskaradë por janë të pafuqishëm ta ndalojnë atë, se opinioni publik i vetë kombit përpunohet dhe orientohet nga ata që kanë blerë mediat e lira, transformuar shoqërinë civile dhe përpiqen të blejnë influencën e partnerëve ndërkombëtarë. Të paktë janë misionarët e fjalës së lirë që i shërbejnë interesave të kombit.
Adi Krasta është ikonë e medias së lirë, një shpirt i lirë intelektual që kërkon fuqizimin e kombit tonë. Në kohën kur nuk kanë munguar akuzat për gjygj të Ramës ndaj Haradinaj; kur qeveritarët e njërës anë quhen ‘gomar’ që nuk kuptojnë politikën e sofistikuar të misionarëve që duan të tregtojnë kufijtë dhe konsolidojnë pushtetet e tyre personale; kur dashuria për Vucic nuk ndërpritet kur serbët përgatisin akuza kundër udhëheqësve të UCK-së; në një kohë kur portalet dhe TV-të kthejnë politikat redaksionale nga fuqia blerëse e politikanëve, Adi Krasta mbetet një simbol i gazetarit patriot që nuk bën kompromis me të keqen. Ai është një nga kontributet më të cmuar që shoqëria Shqiptare ka nxjerrrë për të forcuar lidhjen midis pjesëve të një kombi të ndarë padrejtësisht. Për ata që i kanë shitur shpirtin interesit dhe belbëzojnë edhe kur kryeministri Shqiptar Rama deklaron që “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, apo justifikojnë si diplomaci e madhe që jep zgjidhje me Serbinë copëzimi i sovranitetit të Kosovës, Adi Krasta nuk ju pëlqen.
Por Adi Krasta mbetet një ikonë e mediave, i dashuruar dhe patriot me Kosovën duke e quajtur mëmëdheun e tij, i cili nuk stepet nga ligësia dhe intrigat që nuk janë vetëm për të.