Adili: BDI po përgatit terren për lista të përbashkëta me LSDM

0

Ish-komandantët e ish-UÇK-së Rafiz Aliti, Hazbi Lika, Sheval Ceku dhe Nazim Bushi, të shqetësuar për idenë e shpërbërjes së SIMO, kanë takuar kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin. Kështu deklaroi mbrëmë në Click Plus vet Rafiz Aliti. Në takim ata e kanë shqyrtuar ligjin dhe kanë ndërruar mendimet e tyre, shkruan TV21.

Aliti tha se ndihet keq që duhet të flet për deputetët e partisë së tij, por tha se për këtë çështje duhet të konsultohen të gjitha ata që kanë dhënë kontribut për arritjen e MO.

“Unë ju them me shumë sinqeritet. Unë nuk ndjehem mirë se unë flas për deputetët e mi. Nuk është ndjenjë e mirë që unë të flas për atë iniciativë që është ngritë për shpërbërjen e sekretariatit. Interesi i shqiptarëve është që, o të ngelë sekretariati, o Ministria e re, ta ketë emrin Ministria për implementim të MO dhe sistem politik. Ajo është një kapital i ­do subjekti politik që do të vijë edhe pas BDI-së, BDI nuk është e përjetshme dhe nuk do të jetë e përjetshme në pushtet, por institucionet ngelin” theksoi Rafiz Aliti – BDI

Nga ana tjetër ish-komandanti Zulfi Adili-Qufa, tha se Ali Ahmeti po përgatitë terren që në zgjedhjet e ardhshme të dalë me lista të përbashkëta me LSDM-në.

“Ali Ahmeti me këtë iniciativë, me shuarjen e SIMO, gjegjësisht MO e shuan për ta parapërgatitë terrenin që nesër BDI të del me lista të përbashkëta me LSDM-në, në zgjedhjet e ardhshme, gjegjësisht do të them drejtë, politika e tij dhe e BDI-së në një farë forme nënkuptohet se po na kthehet ‘vllaznim-bashkimi’ në Maqedoni” u shpreh Zulfi Adili-Qufa – ASH dhe Ish-Komandant i UÇK-së

Gazetari Arben Ratkoceri tha se shqiptarët kanë nevoja më të mëdha për tej MO.

“Më nuk jemi 2001, por jemi 2019, shqiptarët kanë nevoja të tjera, për tej Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët kanë nevojë për shkolla të mira. Shqiptarët kanë nevojë punësim, rroga të mira. Shqiptarët kanë nevojë për shëndetësi cilësore, rrugë, infrastrukturë e çështje tjera. Shqiptarët janë lodhur dhe janë mërzitur më që çdo gjë të bëhet në emër të 2001-shit” deklaroi Arben Ratkoceri – gazetar

Se a po largohen komandantët nga politika, dhe se a po shpërbëhet SIMO pikërisht për këtë gjë, mbetet të shihet në të ardhmen, por siç tha Ratkoceri, njeriu i dytë të shtetit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së veriut Talat Xhaferi është njëri nga ish komandantët e UÇK-së./TV21