Aeroplanët amerikanë fluturuan mbi Shkup, për nder të anëtarësimit në NATO

0

Aeroplanë ushtarakë amerikanë dhe grekë sot me një fluturim mbi Shkup përshëndetën anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Fluturimi u realizua rreth orës 11:20.

Dy aeroplanë të aviacionit amerikan ushtarak të shoqëruar nga dy aeroplanë ushtarakë të Republikës së Greqisë, realizuan fluturim mbi territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Fluturimi ishte për nder të anëtarësimit tonë në NATO, raporton Gazeta Lajm. Aeroplanët fluturuan përgjatë lumit Vardar, ndërsa arritën nga drejtimi i aeroportit të Shkupit.

“Aleatët tanë amerikanë dërgojnë porosi të fuqishme se dy vendet tona ruajnë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe se pas mbështetjes së vazhdueshme të cilën na e dhanë në rrugën drejtë NATO-s, dhe pas hyrjes në Aleancë mbeten edhe më tutje aleati ynë i fuqishëm dhe partneri ynë strategjik”, potencoi dje ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, duke paralajmëruar fluturimin. Aeroplanët amerikanë u nisën drejt Maqedonisë dhe rej shtetit federal Dakota e Jugut dhe arritën me fluturim 30 orësh pa ndërprerje me mbushje të karburantit në ajër. Aeroplanët mbi vendin tonë fluturuan në lartësi prej 1.500 metrave. Demonstrimi i këtij fluturimi do të jetë edhe një konfirmim për pranimin e përzemërt të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe sinjal për vazhdimin e bashkëpunimit. Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO filloi me mbështetje të gjerë nga ana e vendeve aleate, që u tregua edhe gjatë krizës shëndetësore nga virusi korona me donacione të shumta të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse nga ana e aleatëve. Si anëtare e re e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut është e përfshirë edhe me programin për patrullim ajror i cili është ekskluziv vetëm për anëtaret e Aleancës dhe qëllimi i së cilës është mbrojtja e qiellit të shteteve të NATO-s.