Afrin, vazhdon operacioni i forcave turke

Forcat e Armatosura të Turqisë, sëbashku me Ushtrinë e Lirë Siriane, prej tre ditësh vazhdojnë me operacionin ne Afrin që kontrollohet nga forcat kurde të PYD/PKK, në kuadër të Operacionit “Dega e Ullirit”.

Në ditën e tretë të Operacionit “Dega e Ullirit”, forcat turke kanë nisur një operacion edhe nga Azezi që gjendet në lindje të Afrinit. Ndërkohë avionët luftarak të forcave turke kanë goditur objektivat kurde në malin Burseja e cila ka një rëndësi strategjike për mbrojtjen e Afrinit. Edhe siç njoftojnë mediat në turqi edhe forcat kurde me predha, artilerike dhe raketore kanë goditur qendrën e qyteti Kilis dhe Azezin e kontrolluar nga opozitarët sirian.

Njësitë e forcave turke kanë kryer gjuajtje artilerike edhe ndaj pozicioneve të PYD/PKK në disa fshatra të qarkut Xhinderis. Poashtu u njoftua se forcat turke nën mbështetjen e Ushtrisë së Lirë Siriane kanë marrë 11 pika në hyrje të Afrinit nga rajonet veriore, veriperëndimore dhe perëndimore, si dhe janë shkatrruar 170 objektiva tëmilitantëve. Operacionin “Dega e Ullirit” forcat turke e filluan të shtunën me synim të marrin kontrollin nga forcat kurde të PYD/PKK-së në Afrin.

Sipas Shtatmadhorisë së Turqisë, operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit, si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve. Operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.