Agolli: Dibra ka të drejtë të shpresojë për ditë më të mira

0

Doktor Arben Agolli do kandidojë për kryetar të Dibrës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Ai rrjedh nga një familje e vjetër dibrane, nga ku ka dalë edhe figura e njohur atdhetare dhe fetare Haxhi Vehbi Dibra – njëherësh edhe nënshkruesi i dytë i Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë – pas Ismail Qemalit. Në një intervistë ekskluzive për Foldrejt.com, Agolli tregon se “obligimi moral ndaj 4000 votuesve” të 2017, e ka shtyrë që të garojë edhe njëherë në 2019.

Foldrejt.com: Pse do kandidoni edhe njëherë për kryetar të Dibrës?

Dr. Arben Agolli: Mendoj se kam obligim moral dhe qytetar ndaj 4000 votuesve që më mbështetën në zgjedhjet e 2017 duke përkrahur programin dhe premtimet e mia për një Dibër ndryshe, për një Dibër të liruar nga shantazhet, presionet, kërcënimet, për një Dibër më të pastër dhe më të rregulluar, me ujë të pijshëm rregullisht dhe me një deponi të mirëmenaxhuar.

Foldrejt.com: Shumë dibranë shfaqin frikën se me largimin tuaj nga pediatria, nuk dinë ku do i dërgojnë fëmijët e tyre. Çfarë përgjigje u jepni prindërve dhe fëmijëve dibranë?

Agolli: Edhe para një viti ngriheshte ky shqetësim, atëherë unë premtova dhe premtoj edhe tani se unë mbasdite do të punoj në ordinancën time dhe sa herë që prindërit do të kenë nevojë për mendimin tim unë mundem fëmijët ti vizitoj edhe në ambientet e komunës. Të jemi të qartë, unë pa pacientët e mij të vegjël s’e imagjinoj dot veten dhe kur jemi te shëndetësia janë shumë probleme të tjera që kërkojnë zgjidhje.

Foldrejt.com: Nëse do fitoni zgjedhjet, cilat janë projektet e para që do i realizoni brenda 100 ditëshit të parë?

Agolli: Sa i takon 100 ditëshit të parë,s ë pari duhet parë gjendja financiare e komunës, njohuritë e mija flasin për një borxh të madh ndaj debitorëve. Sigurisht do të ulem me të gjithë ata për të gjetur një zgjidhje sa më të kapshme për komunën, pastaj me mbështetjen e të gjithë subjekteve në komunë do ti nisim punët për një menaxhim më të mirë të deponisë, ndërtimin e rezervuarit të ri për ujin e pijshëm (projekti është gati), rimodelimi i pedonales të qytetit (zgjidhje ideore Durrësi), trajtimi i qenve endacak në qytet (formimi i qendrës për qentë endacakë, vaksinimi i tyre).

Foldrejt.com: Përveç ASH-së, a do ketë edhe ndonjë parti tjetër që do ju përkrahë juve?

Agolli: Sa i takon mbështetjes nga subjekte të tjera në komunë, mendoj se ajo është çështje e organeve të partisë dhe jo e kandidatit .Unë personalisht pres mbështetje nga të gjithë qytetarët e mi pa dallim bindjesh politike, përkatësie fetare apo nacionale. Dibra është e jona dhe ajo ka të drejtë të shpresojë për ditë më të mira.