Ahmeti bashkon grupet e pakënaqura, rikthen disa emra?!

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka arritur që të ribashkojë dhe ti ulë në një tryezë të përbashkët të gjitha grupet e pakënaqura, ndër të cilët Izet Mexhiti dhe Blerim Bexheti, që shfaqnin pakënaqësi publike për ekzekutivin, gjegjësisht zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.

Por duke dalur nga porta e selisë së BDI-së janë parë edhe figura që gjatë kohë nuk ishin aktiv në BDI. Në mesin e tyre është parë edhe Rafis Aliti-komandant Mësuesi nga Saraji, një kundërshtar i brendshëm i Blerim Bexhetit brenda strukturave të Sarajit. Ahmeti ka theksuar se partia e tij del më e fortë nga ky takim, sepse sipas tij, janë sqaruar të gjitha çështjet, sepse para janë detyra më të rëndësishme për këtë subjekt dhe për vendin.

“Janë biseduar të gjitha çështjet, dhe opinioni është i interesuar pas shumë informacioneve të ndryshme, në mungesë të sqarimeve. Dhe tani të gjitha janë sqaru dhe i siguroj të gjithë votuesit e BDI-së, por edhe ata tjerë qytetarë se BDI është forcë dhe aktor politik në gjithë këto ngjarje gjatë 20 viteve, kemi obligim kombëtar dhe moral që të sigurojë votuesin shqiptarë dhe sidomos të BDI-së, se jemi unik. Janë tejkaluar të gjitha dallimet, janë sqaruar të gjitha çështjet sepse para nesh ka detyra të rëndësishme, vijnë zgjedhjet lokale, është regjistrimi ku duam të jemi pjesë e kontributit. Ka mund të jetë ndonjë hatërmbetje apo mosinformim dhe të gjitha gjërat janë të sqaruara, për të marrë përgjegjësi përpara.”, theksoi Ahmeti.

Duke folur për zërat rreth shkarkimit të zëvendëskryeministrit Artan Grubi, Ahmeti theksoi se nu kështë biseduar për dorëheqjen e Grubit. “Është biseduar për parime, strategji, detyra që na presin si Qeveri. Normalisht që duhet që të jepet llogari dhe unë kurrë nuk kam kërkuar që të mbyllet mendimi ndryshe, dhe kam inkurajuar që vërejtjet dhe gjërat të bëhen hapur. Ekzekutivi është i obliguar që të jap llogari përpara organeve të partisë.”, theksoi Ahmeti.(INA)