Ahmeti: Lirinë e fituam me gjak

0

Si sot, 20 vjet më parë, NATO-ja ndërhyri në Kosovë, duke bombarduar Beogradin dhe pikat ushtarake e policore të Serbisë, pasi nuk arritën të bindin kreun serb Sllobodan Millosheviq të ndalojë agresionin mbi Kosovën. Sipas kreut të BDI-së Ali Ahmeti ky vendim i SHBA-ve dhe aleatëve ishte sa i drejtë, po aq edhe largpamës duke ua ndaluar turrin forcave të motivuara nga Rusia.

“NATO ishte ajo që ne na ndihmoi. NATO ishte përfundimisht në çlirimin e hapësirave tona. Përndryshe këtu edhe sot do të ishim në luftë. Ballkani do të ishte në zjarr. Lirinë kombëtare e fituam me gjakun e derdhur të kombit tonë, por çlirimin e arritëm përmes intervenimit të NATO-s në këto hapësira. Dhe nuk u çlirua vetëm Kosova por u çlirua edhe Ballkani sepse sot forcat e NATO-s janë në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe nesër do të jenë në Republikën Veriore të Maqedonisë”, u shpreh Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Pa harruar të falënderojë shqiptarët e Maqedonisë për mikpritjen e refugjatëve, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj tha se intervenimi ushtarak i NATO-s mbi Serbinë dhe shpëtimi i popullit të Kosovës është rezultat i ngritjes së SHBA-ve si superfuqi dhe fuqizimit të Bashkimit Evropian. Ngritja e tyre ka sjellë edhe ngritjen e shqiptarëve duke i bërë faktor të mirëfilltë në Ballkan, andaj sipas Hoxhajt me çdo kush partneriteti duhet ruajtur edhe më tej.

“Nëse në ’99-tën kemi triumfuar ushtarakisht mbi Serbinë edhe në planin diplomatik, në 2019 përmes një marrëveshje të mundshme të paqes mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të nënkuptojë njohje të ndërsjellët, e cila duhet të nënkuptojë vendosje të marrëdhënieve diplomatike, e cila duhet të nënkuptojë anëtarësim të Kosovës në OKB, ne mund ta përmbyllim një prej sfidave të fundit historike që ka rajoni, siç është raporti mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Bombardimi i Jugosllavisë nga operacioni ushtarak i NATO-s, u bë pa miratimin e këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bombardimet filluan më 24 mars e përfunduan më 10 qershor të 1999-tës, ku dhe u arrit marrëveshja për tërheqjen e trupave ushtarake serbe nga Kosova dhe vendosjen e misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara.