Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për REL, ka folur edhe për çështjen e gjuhës shqipe si dhe për përfaqësimin etnik, përcjell TV21. Ahmeti tha se këto tema janë të ndjeshme, siç shtoi të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duhet ta ngrenë zërin që gjuha shqipe mos t’u rrezikohet dhe të mos u cënohet përfaqësimi etnik.
Pjesë nga intervista e Ali Ahmetit për REL
Ali Ahmeti: Për çështjen e gjuhës, çështjen e përfaqësimit etnik, mospranimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit, duhet të gjithë të ngrenë zërin. Këto çështje janë të ndjeshme dhe nuk është vetëm punë e BDI-së që t’i dalë zot dhe ta ngritë zërin e shqetësimit.
Të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta ngrenë zërin, që gjuha shqipe mos t’u rrezikohet dhe përfaqësimi etnik të mos cenohet. Kjo nuk është çështje partiake, por një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por u takon edhe shqiptarëve të Shqipërisë. Institucionet në Shqipëri, i obligon dhe detyron Kushtetuta që të ngrenë zërin kundër padrejtësive që mund t’u shkaktohen bashkëkombësve të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo në Serbi, apo në Mal të Zi.
Edhe Kosova ka një obligim moral dhe kombëtar që ta ngrejë zërin dhe të mos pajtohet me rrezikimin apo cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Shihni çfarë pasojash ka. Nuk është mirë të bëhet ndërhyrje, as nga Shqipëria, as nga Kosova, po as ne nga Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërhyjmë në procese, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Rrethanat i njohin më së miri ata që jetojnë dhe organizohen politikisht, si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë. Ata e dinë se si duhen zgjidhur problemet. Populli që jeton andej e di më së miri se kush mund t’i përfaqësojë më së miri qytetarët, shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.
Çdo ndërhyrje e mundshme mund të sjellë, fërkime, mospajtime apo hidhërime ndaj politikanëve, qofshin në Shqipëri apo Kosovë. Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, i cili është ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet, pra është përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit.
Stoilkoviqi është mik i [Vladimir ] Putinit dhe i [Aleksandër] Vuçiqit, gjë që ai e pranon dhe madje krenohet me të. Ky është rezultat i mosnjohjes së rrethanave në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo ndërhyrje që është bërë nga autoritete, jo të gjithë, nga Kosova, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.