Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Nënat e ardhshme shprehen të tronditura nga informacionet se çdo e nënta vdekje e të porsalindurve në Maqedoninë e Veriut, është pasojë e ajrit të ndotur. Prej vitesh, ky vend është ndër të parët në Evropë sa i përket ajrit të ndotur, por vetëm 0.8 për qind e buxhetit ndahet për mjedisin. Shkupi është ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë, e masa e vetme që ndërmerret, është transporti publik falas kur ajri është më i ndotur, shkruan Zhurnal.
Ajri i ndotur po merr jetë, vdesin edhe foshnjat, apelohet për masa urgjente –
Nënat e ardhshme shprehen të tronditura nga informacionet se çdo e nënta vdekje e të porsalindurve në Maqedoninë e Veriut, është pasojë e ajrit të ndotur. Prej vitesh, ky vend është ndër të parët në Evropë sa i përket ajrit të ndotur, por vetëm 0.8 për qind e buxhetit ndahet për mjedisin.
Shkupi është ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë, e masa e vetme që ndërmerret, është transporti publik falas kur ajri është më i ndotur. “Vitin e kaluar kisha një situatë të padëshiruar, humba një fëmijë. Nuk them se ndodhi për shkak të ajrit të ndotur, por ndoshta gjithçka ndikon: ajri, toka, ushqimi që hamë, gjithçka i ekspozohet ndotjes”, thotë Adelina Dizdareviq nga Shkupi.
Tani në muajin e gjashtë të shtatzënisë, ajo pret të lindë në fillim të janarit, kur cilësia e ajrit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është në gjendjen më të keqe. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se është e shqetësuar nga statistikat e reja që publikoi Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, javën e kaluar.
“Çdo e nënta vdekje në mesin e të porsalindurve në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur”, vlerësoi ky fondacion. Këto shifra janë tronditëse për Adelinën. Ajo thotë se përpiqet të marrë suplemente natyrale të shtatzënisë, që i blen jashtë vendit, dhe të shëtisë nëpër male.
“Përpiqem të bëj jetesë të shëndetshme, por çështja është se sa mund të mbrohemi”, thotë Adelina. Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror i ajrit tregojnë çdo vit se qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova, kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10, sidomos në muajt e dimrit.
Në shkurt të vitit 2024, Shkupi ishte sërish në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë, me nivele mesatare të grimcave PM10 ose PM2.5 që i tejkalojnë kufijtë e lejuar për më shumë se 100 ditë në vit.
Në Maqedoninë e Veriut në vit vdesin mbi 3.800 persona për shkak të ajrit të ndotur –
Në Maqedoninë e Veriut në vit ka 3.828 vdekje për shkak të ndotjes së ajrit, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në vend, sipas raportit të Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për ujë të sigurt, kanalizimeve mjedisore dhe ekotoksikologjisë shëndetësore pranë Institutit për Shëndet Publik (ISHP).
Sipas gjetjeve të raportit, vlerësohet se nivelit aktual të ndotjes së ajrit i atribuohen 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD), që përbën 18.1 për qind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni.
“Ndotja e ajrit konsiderohet si kërcënimi më i madh mjedisor në botë për shëndetin e njeriut, me shtatë milionë vdekje në mbarë botën çdo vit. Ndotja e ajrit shkakton dhe përkeqëson një sërë sëmundjesh, duke filluar nga astma te kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Ndotja e ajrit të ambientit dhe grimcat, një nga komponentët kryesorë të ajrit të ndotur, janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin”, thotë doktoresha Dimovska.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?
Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.
Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.