Akademia e Shkenca brenda tetë ditëve do të mbajë kuvend të jashtëzakonshëm për shkarkimin e Mehmet Krajës

Muhamedin Kullashi, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, ka folur në lidhje me kuvendin e jashtëzakonshëm, që do ta mbajnë për shkarkimin e kryetarit Mehmet Kraja, në lidhje me një botim, që ky i fundit e kishte bërë një muaj më parë.

Kullashi tha se kërkesa për kuvendin e jashtëzakonshëm ka të bëjë me botimin e tekstit të Krajës, që sipas tij, nuk është bërë me miratim të tyre.

“Kërkesa e 10 anëtarëve të Akademisë, që janë faktikisht, është kërkesë për mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të Akademisë lidhur me shqyrtimin e disa problemeve që lidhen me kryetarin dhe para një muaji e kemi njoftuar opinionin për këto probleme”, ka thënë Kullashi.

“Kërkesa për shkarkim, në disa pika numërohen arsyet, lidhen edhe me kumtesën që e kemi bërë para një muaji. Kjo kërkesë ka të bëjë me publikimin e një teksti të gjatë, një artikull personal, i zotëri Kraja, i gjatë 40 faqe, dhe të cilën ai e ka botuar në faqen e Akademisë, si botim i Akademisë. Nuk ka qenë i miratuar nga anëtarët e tjerë”, shtoi ai, shkruan Klankosova.tv, përcjell Reporteri.net.

Kullashi theksoi se edhe pse nuk e miratuan botimin e këtij teksti, sipas tij, ai ka vepruar ndryshe, duke e paraqitur si tekst të ASHAK.

“Ne kemi menduar që e ka kuptuar mesazhin dhe që do të heqë dorë nga botimi i atij teksti si ASHAK, fatkeqësisht ai ka vepruar ndryshe dhe ka botuar edhe disa versione të atij artikulli, që nuk ka asnjë fusnotë. Dhe e ka botuar disa herë dhe e ka paraqitur si tekst të ASHAK”.

“Nuk është punim shkencor, është një punim i sipërfaqshëm dhe i dobët, aty e ka ambicien që të shpjegojë krejt historinë e Kosovës, të shqiptarëve, prej betejës së Kosovës e më tutje. Pikërisht që pse nuk është tekst serioz shkencor, askush nuk e ka marrë përsipër që ta mbështesë, megjithatë ai e ka botuar në faqe të Akademisë, si tekst apo botim të Akademisë”.

Ai shtoi se sipas statutit, kuvendi duhet të mbahet brenda tetë ditëve.