Akademia e Shkencave rrëzon presidentin

0

Akademia e Shkencave ka rrëzuar ditën e djeshme të gjitha pretendimet e presidentit Ilir Meta pas refuzimit të emërimit të Skënder Gjinushit në krye të këtij institucioni. Akademia e Shkencave ka reaguar me një deklaratë zyrtare, ku deklaron se akti i presidentit është nul dhe në shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutës. Ajo hedh poshtë pretendimet e ngritura nga presidenti se Gjinushi nuk ka bërë publike tërheqjen nga drejtimi i Partisë Social Demokrate gjatë kohës që kandidonte për postin e kreut të Akademisë së Shkencave, duke shtuar më tej se ka konstatuar se është krijuar një ngërç juridik duke qenë se kemi një kryetar të zgjedhur nga asambleja me vendim të formës së prerë i cili ende nuk është emëruar. Akademia e Shkencave deklaroi se është vendosur që të mblidhet Asambleja e Akademisë së Shkencave për të shqyrtuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit rikonsiderimin e emërimit të kryetarit të zgjidhur. “Këshilli Ekzekutiv pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223 datë 11.07.2019 konstatoi: Pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti si akt i dalë në kundërshtim flagrant me ligjin; mungesën e çdo mjeti ligjor me ligjin e ASH për të vepruar pas një refuzim emërimi; ngërçin juridik të krijuar midis faktit se kemi një Kryetar të zgjedhur nga Asambleja e ASH me një vendim të formës së prerë, pra të pacenueshëm e ndërkohë të paemëruar; faktin se pengesa e vetme për emërimin e kryetarit të zgjedhur, sipas arsyetimit të dekretit është mos bërja efektive e dorëheqjes para kandidimit më datë 24.05.2019 çka nuk është e vërtetë. Vendosi të mbledhë Asamblenë e ASH, për të shqyrtuar e miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit të Republikës rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga ajo Asamble më datë 24/05/2019”, thuhet në reagimin zyrtar të Akademisë së Shkencave.

Reagon Gjinushi

Pas mosmiratimit nga ana e presidentit për të drejtuar Akademinë e Shkencave ka reaguar vetë Skënder Gjinushi. Gjatë një interviste televizive, ai deklaroi se është zgjedhur nga një proces votimi i rregullt, duke e konsideruar dekretin e presidentit nul dhe të pambështetur në referenca ligjore. Sipas Gjinushit, ASH është një institucion autonom dhe kreu i shtetit nuk ka të drejtë të ndërhyjë në procesin zgjedhor. “Rezultati i zgjedhjeve është bërë publikisht i njohur dhe zyrtarisht dhe ligjërisht. Dhe është një rezultat i pa cenuar dhe i paprekur nga askush. Presidenti i Republikës nuk mund ta zhbëjë procesin zgjedhor të zhvilluar pranë këtyre institucioneve autonome. Kështu që dekreti është haptas nul, haptas një vendim absolutisht i pavlefshëm, sepse nuk ka asnjë referencë në ligjin e Akademisë së Shkencave, ku thuhet se mund të refuzohet emërimi”, u shpreh Gjinushi.

Gjinushi sfidon Metën

Duke iu referuar argumenteve të kreut të shtetit, Gjinushi deklaroi se Meta ka qenë kryetar partie në kohën që është zgjedhur president. Sipas Gjinushit, edhe Meta duhet të japë dorëheqjen nga posti i presidentit për këtë arsye, duke sfiduar në këtë mënyrë hapur kreun e shtetit. “Vetë Presidenti ka kandiduar duke qenë kryetar partie. Le të jap shembullin, pra të jap dorëheqjen për këtë shkak. Unë nuk do e jap dorëheqjen për këtë shkak”, u shpreh Skënder Gjinushi.