Akademiku Matevski ja kur e kishte pranuar se ishte shqiptar/FOTO

0

Akademiku Mateja Matevski, i njohur edhe si ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) faktin e origjinës së tij shqiptare e kishte pranuar në një orë letrare kushtuar poetit të ndjerë Ali Podrimja në Strugë, në kuadër të manifestimeve të Mbrëmjeve të Poezisë Strugane në gushtin e 2012, informon INA.

Lajmi për këtë e kishte dhënë gazetari tashmë i ndjerë Mehmet Latifi, që ishte pjesë e agjencisë së lajmeve INA.

Ai duke raportuar për ngjarjen kishte nxjerrë edhe detajet ku Matevski në këtë takim kishte shprehur se është me origjinë shqiptare.

“Fjala ime për mikun tim Ali Podrimen do të jetë në maqedonishte. Se unë jam shqiptar e detyra e shkrimtarëve është ta dinë mirë gjuhën. Prandaj, të më falni që do të drejtohem në gjuhën maqedonase. Erdha këtu me ndjenjën e dyfishtë, për mikun tim të madh Ali Podrimen.  Kur më tha miku im Luan Starova se në këtë takim për Ali Podrimen do të flaës Ali Aliu, po ashtu mik i imi i madh dhe akademik u gëzova se Ali Podrimja është këtu. Për fat të keq, këta dy tre muaj kam qenë i shkëputur dhe nuk kam pasë informacione, ndaj erdha me gëzim se do ta takoja Ali Podrimen. Por kur Luan Starova më sqaroi se në të vërtetë ky është një homazh për te, unë tani do ti shprehë këtë homazh. Ali Podrimen e njoh nga fillimet e tija.!”, kishte theksuar Matevski, i cili këto ditë ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare.

Foto: Mehmet Latifi/INA, gusht 2012

Akademiku Mateja Matevski u lind më 13 mars 1929 në Stamboll të Turqisë në një familje emigrantësh shqiptarë nga rajoni i Rekës së Gostivarit. Ai njihet si një kuadër i shkolluar në Gostivar, Tetovë, më pas në gjimnazin e Shkupit, ndërsa studimet ka vijuar në Beograd dhe Shkup, në grupin e letërsisë maqedonase dhe jugosllave.

Ai është i njohur me veprat e ndryshme në poezi, kritikë letrare dhe zhanre tjera, ndërsa ka kryer edhe detyra të ndryshme, duke qenë drejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Maqedonisë, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Maqedoni, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, anëtarë i presidencës së Republikës së Maqedonisë. Matevski është i njohur me shumë çmime të fituara në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Branko Manojlovski, emigranti shqiptar nga rrethina e Gostivarit i sapokthyer nga SHBA është një nga promotorët e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, duke i thirrur të gjithë ata që të deklarojnë origjinën e tyre të pastër shqiptare. Ai më parë kishte paralajmëruar se Matevski është me origjinë të pastër shqiptare dhe deri tani kishte heshtur mbi të kaluarën e tij. Manojlovski ka thirrur edhe personalitete të tjera publike që të deklarojnë origjinën e tyre etnike.

(Teksti është pjesë e raportit të gazetarit të INA-s, Mehmet Latifi, i cili ishte një ikonë e gazetarisë shqiptare që pak muaj më pare u nda nga jeta)

Komentet

komentet