Aksion policor në Haraçinë, ndalohet një person

Ministria e Brendshme sot përmes një njoftimi ka bërë të ditur se nga orët e mëngjesit të hershëm ka zhvilluar një operacion në Haraçinë, ku është privuar nga liria një person.

Bëhet fjalë për N.R, 49 vjeç nga Haraçina.

“Në rajonin e Haraçinës së Shkupit, sot nga ora 05:00 deri në ora 08:30 nga Ekipi Operativ për Kërkime në bashkëpunim me pjesëtarët e Departamentit për Operacione Speciale Policore dhe zyrtarë policorë nga Njësiti për tregti të paligjshme i SPB-së Shkup është zhvilluar një operacion kontrolli, ku është privuar nga liria N.R (49) nga fshati Haraçinë”, thekson MPB.

Më tej theksohet se për personin e arrestuar ishte lëshuar urdhër qendror në bazë të urdhëresës nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, me të cilën i është kërkuar vuajtja e dënimit me burg prej një viti e gjysmë, në lidhje me nenin 396. Kodit Penal, për prodhim, mbajtje dhe tregtim të paautorizuar të armëve dhe lëndëve plasëse.

Po ashtu kontrolle ka pasur edhe në Majancë të Epërme, ku gjatë kontrollit të një shtëpie është gjetur një armë dhe se policia ka theksuar se po proceson edhe këtë rast.(INA)