13 masa të paraburgimit, një arrest shtëpiak dhe 12 masa sigurie. Ky është bilanci i gjykatësit të procedurës paraprake pas aksionit të policisë dhe prokurorisë “Zinxhiri”. Ky aksion përfshiu 26 persona fizikë dhe 28 kompani, të cilët akuzohen për bashkëveprim kriminal, evazion fiskal dhe pastrim parash. Gjashtë persona, akoma janë të pakapshëm për organet e rendit. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dyshon se subjektet që janë nën hetim nga viti 2019 kanë deklaruar rrejshëm të ardhurat dhe të dalat me qëllim shmangien e tatimeve. Më 2020 grupit kriminal i janë bashkuar edhe 7 persona të tjerë bashkë me subjektet e tyre duke shtuar manipulimet.
“Procedura hetimore ngarkon 26 pronarë dhe drejtues të 28 kompanive, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar në fakte se kanë kryer vepra penale bashkëveprim kriminal sipas nenit 394, që parashikohet dënim me burg deri në 3 vjet. Sipas Kodit Penal për veprën penale të shmangies nga tatimi nga neni 279, autorët do të dënohet me burgim nga 1 deri në 10 vjet dhe me gjobë. Për veprën penale të pastrimit të parave sipas nenit 273 të Kodit Penal, parashikohet dënim me burg efektiv prej të paktën 5 vjetësh”, njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Një ditë pas aksionit, nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se ky grup ka formuar kompani të reja, ndërsa kontabilistët kanë evidentuar fatura fiktive me kompensime të ndryshme për të kthyer TVSH-në. Llukarevska tha se edhe dhjetëra kompani të tjera kanë ndjekur skemën e njëjtë për kthim fiktiv të TVSH-së.
“Grupi i parë i tatimpaguesve me dokumente të dyshimta është përpjekur të dëshmojë shpenzime, fatura kinse të kryera që nuk kanë asnjë dëshmi që janë paguar në bankë. Grupi i dytë i tatimpaguesve janë garantuesit tatimor që qarkullimin e dalë të grupit të parë, që me fatura fiktive e kanë mbuluar TVSH-në, e kanë deklaruar si të ardhura të tyre me paratë e njëjta dhe duke shkelur ligjin kanë përfituar nga TVSH-ja. Grupi i tretë janë borxhlinjtë e tatimit që kanë shfrytëzuar kthimin e TVSH-së nga grupi dytë, përkatësisht nga garantuesit tatimor për t’i kryer pagesat e tyre të obligimeve tatimore ndaj shtetit”, tha Sanja Llukarevska, drejtoreshë e DAP-it.
Gjatë bastisjeve të një dite më parë është siguruar dokumentacioni shtesë i cili do t’i nënshtrohet përpunimit nga dëshmitë që janë mbledhur në Negotinë, Kavadar, Manastir, Ohër dhe Shkup. Sipas Policisë Financiare të dyshuarit kanë pastruar rreth 8 milionë euro, ndërsa dëmi në buxhetin e shtetit është mbi 650 mijë euro. /Alsat