Aktori kosovar luan sportistin serb në serialin gjerman “Tatort”

0

Në rolin e një sportisti serb, aktori Ilir Rexhepi është bërë pjesë e serialit të njohur gjerman “Tatort”, që njihet si serial kult, fort i adhuruar nga gjermanofolësit e me një histori gati gjysmëshekullore.

Ai nisi të transmetohej në vitin 1970. Episodi në të cilin luan edhe aktori kosovar, i titulluar “Tod und Spiele”, të dielën mbrëma u shfaq në televizionet gjermane, austriake e zvicerane, ARDF, ORF dhe SRF. Seriali reprizohet edhe në televizione të tjera evropiane e më gjerë.

Përveç Rexhepit, në këtë serial luajnë aktorët e njohur: Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi, Rick Okon, Viktoria Meyer, Sybille J. Schedwill e të tjerë.

Regjinë e episodit në të cilin është përfshirë Rexhepi – që viteve të fundit është bërë pjesë e serialeve të njohura në Gjermani – e ka bërë regjisorja gjermane Maris Pfeiffer dhe është prodhim i produksionit të famshëm “Warner Bros”.

Aktori Ilir Rexhepi ka folur më shumë për rolin që ka pasur në episodin e ri të këtij seriali.

“Paraqitem në rolin e një sportisti të quajtur ‘Serbi’. Eh pra, shqiptari luan edhe rolin e serbit në filmin gjerman. Ne po i zëvendësojmë ata në Evropë. Rolin e kam si serb dhe flas disa fjalë serbisht. Do të thotë, portretizoj figurën e një sportisti, por që është me prejardhje nga Serbia”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka shtuar se shpeshherë portretizon ballkanasit dhe kjo edhe për shkak që i njeh disa gjuhë të kësaj pjesë.