ALARMANTE: Së shpejti shqiptarët shqiponjën mund ta shohin vetëm në flamur

0

Shqiponja, simboli i shqiptarëve, shumë shpejt do të mund të shihet vetëm në flamurin kombëtar, e rrezikuar nga zhdukja nga gjuetarë të paligjshëm që janë shumë të përhapur.
Në rrugën nacionale, rreth 30 kilometra në veri të Tiranës, Asllani ju ofron vozitësve një petrit të plagosur me çmim në mes 7.000 e 10.000 lekë (55 deri 85 euro). Ky lloj është i mbrojtur me ligj njësoj sikurse shqiponja e artë dhe disa shpezë grabitqarë të tjerë.

Por, Asllani nuk brengoset shumë për këtë çështje, duke reklamuar shpendin e plagosur nga plumbi dhe plagën ende të nxehtë: „Nuk e kam plagosur unë. Ma dhanë për ta shitur. Blerësit duan ta ruajnë shpendin në ndonjë kavaz, në ndonjë kafene apo edhe restorant“. Pavarësisht se si do të përkujdesen mëtutje, shitja e shpendëve në rrugë është një biznes fitimprurës.

„Nga katër lloje të shpendëve grabitqarë në Shqipëri, ka mbetur vetëm edhe lloji `huta egjiptiane`, me një numër drastikisht të zvogëluar“, pohon Mirjan Topi, autor i udhëzuesit të parë të zogjve në Shqipëri. Gjithashtu në rrezik është edhe shqiponja e artë që me dy koka shtrihet në flamurin kuq e zi.

Sipas ekspertëve, 25 vite më parë në vend kishte midis 100 dhe 200 çifte të shqiponjave të arta, ndërsa ky numër aktualisht është përgjysmuar. „Ka një rënie dramatike“, ka vazhduar Topi, shkruajnë mediat franceze, përcjellë Shtegu.com.

Për biologun Taulant Bino, kryetar i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, shqiponja e artë „është në rrugë drejt zhdukjes“. Sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në një shkallë globale, shqiponja e artë nuk klasifikohet si një lloj i kërcënuar.

Më tej, gazetat shkruajnë se që nga viti 2014 ka pasur ndalim gjuetie në Shqipëri. Autoritetet thonë se janë ndaluar një numër prej 2.000-3.000 gjuetarë italianë, që vlerësohet se kanë vrarë rreth 150.000 shpezë, duke përfshirë edhe zogj grabitqarë gjatë dekadës së fundit.

Në jug të Shqipërisë, në lokacionin Orikum, Petriti pesëdhjetëvjeçar, i cili dëshiron të mbetet anonim, është krenar për shqiponjën e vet të blerë për 400 euro, që do ta ekspozojë në kafenenë e tij, pranë flamurit kombëtar dhe zogj të tjerë të shpirtosur: „Është gjithnjë e më vështirë të gjendet një shqiponjë“. Shërbimet shtetërore e kanë kërcënuar se do t`ia mbyllin lokalin nëse vazhdon të ekspozojë trofetë e tij, por ai nuk merakoset: „Jam në gjendje të paguaj dënimin vetëm e vetëm ti kem pranë“.

Nga ana tjetër, e takuam edhe Edmondin 35-vjeçar në malet e Prenishtit, në kufirin shqiptaro-maqedonas, me dy petritë në duar që sapo i kishte vrarë. Ai refuzon të japë identitetin e vet dhe na lutë që të mos e denocojmë. Zogjtë e vrarë janë destinuar për ta dekoruar kafenenë e vet për të pasur më tepër vizitorë, ka spjeguar ai.