Alarmante: Vetëm nga mbyllja e 2 aktiviteteve biznesi do të mbeten pa punë 25.000 shqiptarë

0

Jakup B. GJOÇA

Qeveria nxjerr ligje drastike, pa menduar fare për pasojat ekonomike dhe sociale, mbeti duke publikuar vidiot 3D

Ishte kryeministri Rama, që u premtoi shqiptarëve në 2013-n që do të luftonte kumarin dhe bixhozin elektronik, sepse janë të paligjshme. Filloi operacionin policor “Fundi i Marrëzisë” në fillim të 2014-s, duke pretenduar se do të mbyllte të gjitha ato kazino dhe Lojëra Fati që funksionojnë pa leje ushtrimi biznesi. Asokohe numëroheshin 800 pika të tilla në gjithë Shqipërinë. Mirëpo në 2018 pikat e bastit dhe kazinotë elektronike u shumëfishuan në progresion gjeometrik, sa sot numërohen 4.500 pika basti dhe kazino elektronike. Të gjitha këto (supozohet) se kanë leje ushtrimi biznesi, sepse në të kundërt, është e paperceptueshme, që ato deri tani të funksionojnë pa leje, kur dihet, që qeveria çon në burg këdo biznes që nuk jep qoftë edhe një …faturë pa TVSH. Ose, bizneset e kumarit e të bixhozit ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje, sepse janë pronë e njerëzve “Të Fortë” pranë qeverisë.

Ligji i qeverisë: Kyç të gjitha, pa përjashtim kazinotë e pikat e bastit

“Bastet e kazinotë elektronike do të dalin jashtë ligjit më 31 dhjetor. Ama çdo reklamim i tyre, në çdolloj media, është i jashtëligjshëm. Portalet që kanë ende reklama të tilla t’i heqin vetë, se ndërkohë po punohet për mbylljen e tyre! Mos kemi llafe për lirinë e shtypit pastaj”, shkroi kryeministri Rama në “Twitter”.

Lind pyetja: Përse deri tani qeveria i la të lira këto biznese?

Ato kanë bërë investime në kapitale, në njerëz dhe nuk mundet që qeveria t’u japë leje ushtrimi profesioni dhe një ditë, kur kryeministri mbase gdhihet pa qejf e humor, të lëshojë urdhër dhe ligje, që do t’i mbyllë pa përjashtim. Kush do ta paguajë koston e investimit të bërë? Qeveria nuk merr përgjegjësi, duke dhënë tashmë moral, kur vetëm dy ditë më parë, jepte leje ushtrimi të këtij biznesi. Në 1 janar 2019 do të mbeten pa punë e pakta, mbi 9. 000 shqiptarë, që janë punësuar deri tani. Ligji i qeverisë, edhe pse do të shkaktojë kaq plagë sociale dhe ekonomike, si papunësi masive, nuk përmban asnjë masë ligjore për ripunësimin e tyre, as për ndihmën ekonomike dhe sociale të më shumë se 9.000 shqiptarëve që do të gdhihen në 1 janar 2019 në rrugë të papunë. Shteti shqiptar pretendon se kuadrin ligjor e përshtat me atë të BE-së. Mirëpo, kur qeveria e Greqisë, që është anëtare në BE u mundua të mbyllë të gjitha kazinotë elektronike (Jo pikat e Bastit) BE-ja vendosi sanksione ekonomike ndaj Greqisë.

TAP përfundon punimet, mbeten pa punë 9.000 punëtorë

TAP në Shqipëri po përfundon punimet e parashikuara, mirëpo kjo do të thotë se deri në janar 2019 do të mbeten pa punë edhe 9.000 punëtorë të tjerë. Këta punëtorë që punojnë deri tani në TAP janë nga zonat rurale më të varfra dhe punësimi në TAP u sillte të ardhura të mëdha për familjet. Tani, kur punimet mbarojnë, për 9.000 punëtorë nuk ka më perspektivë punësimi. Vetëm nga këto 2 aktivitete biznesi, që deri në janar 2019 do të mbyllen, do të mbeten pa punë 25.000 shqiptarë. Në Shqipëri numri i të punësuarve në sektorin privat dhe shtetëror është rreth 500000 dhe në 1 janar 2019 do të mbeten pa punë mbi 5 % e numrit të punësuarve. Për Shqipërinë kjo është një shifër katastrofike e gjendjes së mjerueshme të ekonomisë, duke pasur parasysh, që shteti po shkurton edhe fondet për ndihmë sociale dhe ekonomike..