Alarmi për urat e Shqipërisë

0

Nga Ndue Dedaj/

Nëse don ta shohësh se sa të papërgjegjshëm jemi ndaj jetës dhe sigurisë rrugore, shih urat e katandisura si mos më keq! Por ndërsa beteja e ashpër politike mes opozitës dhe pozitës ka përfshirë gjithçka, fatmirësisht dikush kujtohet dhe për ato. Jo për ato pak ura që po iu bëhet gati shiriti i përurimit në prag të fushatës elektorale të qershorit, por për urat e shumta të rrënuara e të harruara të Shqipërisë, ku ajo e Tapizës, në afërsi të Kamzës, është vënë në fokus si “rrezik vdekje” që në gusht të vitit të kaluar, kur ndodhi tragjedia e urës që u shemb në Gjenova, duke shkaktuar 35 të vdekur, mes të cilëve dhe dy shqiptarë. Siç dihet, më atë rast, qe ngritur një grup pune me specialistë për të evidentuar gjendjen e urave në mbarë vendin, ku nga 1200 urat që ka në tapi Autoriteti Rrugor Shqiptar, 8 prej tyre kërkonin ndërhyrje emergjente dhe konkretisht: e Tapizës, e Drojës, e Vorës, e Bushneshit, e Leklit, e Dragotit, e Zemblakut etj. Por, edhe pse u renditën të parat për nga domosdoshmëria e ndërhyrjes së menjëhershme, ato vazhdojnë si më parë të lëngojnë në agoni. Shqiptarët prisnin shndërrimin e urave në kantier ndërtimi dhe jo “mbytjen” e qeverisë në dy kilometra rrugë në Unazën e Re të Tiranës, i njohur ndryshe si fenomeni “Astiri”, ku nuk kanë pushuar protestat e banorëve prej tre muajsh.

Ka qenë kjo heshtje e institucioneve që merren me rrugët dhe urat e vendit, posaçërisht e Ministrisë së Infrastrukturës dhe ARRSH-së, që i ka detyruar emisionet investigative të japin alarmin e rrezikut që vjen nga urat, në radhë të parë nga e Tapizës dhe e Dragotit. Ishte emisioni investigativ “Fiks Fare” që “inspektoi” së fundi urat e Shqipërisë, nga Jugu nën Veri, shumë prej tyre me një këmbë në varr, dhe pse jo të gjitha janë plaka. Bashkë me grupin televiziv ishte në disa nga inkursionet mediatike dhe inxhinieri i njohur Xhevahir Ngjeqari. Jo rastësisht ndalesa e parë ishte tek Ura e Zogut, 90-vjeçare, si ura më monumentale e Shqipërisë, e cila mbahet mirë nga harqet, por jo dhe nga këmbët e dëmtuara rëndë nga gërryerjet e lumit të Matit. Është e njohur prirja jonë për të lyer fasadat e pallateve nga ana e rrugës, sa për duk, por jo dhe anën e pasme të tyre. E vëren këtë jo vetëm në qendrat urbane të periferisë, por dhe në qytete si Tirana, Korça e Shkodra.

Kështu ndodh dhe me urat, iu lyhen aty-këtu parmakët me bojë, por ato dridhen kur mbi to kalojnë automjetet e rënda, edhe pse tabelat shënojnë sasinë e tonëve që secila mund të mbajë. E, pra, mbi to kalojnë përditë dhe pushtetarët, duke nisur që nga Kryeministri, në turrin e tij të pandalshëm për te dëgjesat publike, një shpikje “popullore” që zor se përmban diçka racionale. Aty njerëzit flasin më së shumti për hallet e tyre vetjake e jo për problemet e mëdha të komunitetit, siç janë rrugët e dëmtuara, urat rreziksjellëse, ujësjellësit ku përzihen ujërat e zeza me ato të bardha, hidrocentralet që po iu kafshojnë çdo përrua malor etj. Në këtë kontekst, nuk është vënë dorë mbi urën e Tapizës, dhe pse një nga urat kryesore në aksin kombëtar, që lidh Tiranën me Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën, ku i bie të kalojnë shumica e shqiptarëve. Por as mbi disa ura të njohura në Jug, si ajo e Dragotit etj., që gjithashtu janë të një rëndësie të veçantë. Rikonstruktohet çdo objekt i vjetër, por jo dhe urat, që normalisht duhej të ishin të parat ku duhej vënë dorë. Konstruktorët e kohëve të shkuara nuk e kanë patur për borxh të na i bëjnë urat të përjetshme. Megjithatë urat mesjetare vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë, shpesh më të sigurta se urat që mbartin trajlat me dhjetëra ton inerte, hekur etj. Mjafton të shohësh Urën e Vashës mbi lumin Mat, në Klos, që e ka nxjerrë në pah ndërtimi përbri saj i një ure të re, të lartë, vepër arti e Rrugës së Arbërit.

Në vazhdën e sensibilizimit të strukturave shtetërore, edhe TV “Klan” u ndal në një vëzhgim të tijin tek ura e Tapizës, që pësonte “tërmet” sa herë kalonin mbi të mjete të rënda, varg njëra pas tjetrës e jo siç e kërkon tabela paralajmëruese, një nga një. Ekspertët e intervistuar aty u shprehën se kjo urë nuk duron rikonstruksion, por në vend të saj duhet ndërtuar një e re. Më shqip nuk ka. Nuk është e rastit që kohë më parë te kjo urë u përplasën katër automjete, duke u shkaktuar dëme materiale. Për dikë që vjen nga jashtë, është për t’u habitur që ende rezistojnë urat e shtatëqindës dhe nuk kanë kurrfarë garancie urat e 1970-ës, por jo për ne që e dimë se si janë bërë e bëhen punët në këtë vend, dje me aksion, sot me korrupsion!…

Teksa shkruanim këto radhë, u dha lajmi se në Greqi ishte shembur ura Keritis në Alikianos dhe emigrantët shqiptarë kishin dhënë ndihmën e tyre për rindërtimin e saj. Po këtu, a duhet vetëm të lutemi, që urat të mos përfundojnë në tragjedi, si urat që janë shembur në vende shumë më të zhvilluara se ne?… Asnjë shpresë nuk ka se kjo nuk do të ndodhë dhe këtu, sot apo nesër, deri ditën që në urën e Tapizës, Dragotit etj., të ndalohet qarkullimi dhe të nisë ndërtimi i tyre nga e para, apo rikonstruksioni aty ku është e mundur.

Gjithsesi, qytetarët dhe mediat vazhdojnë ta ngrenë zërin fort e përditë, po qeveria a do të japë përgjigje ndonjëherë?…