Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), është si rezultat i punës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), bashkë më Policinë dhe Prokurorinë.
Përmes rrjeteve sociale, Kurti shprehet se këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë.
“Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit. Njëri nga të dyshuarit (A.V.), pas përballjes me dëshmitë, tashmë ka pranuar fajësinë”- shruan Kurti, sot më 07.06.2025.
Tutje, në shkrimin e tij Kurti thotë se AKI, në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm dhe aftësi të avancuara analitike e operative në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues. Ai ka ftuar qyetarët që të jenë të angazhuar në përpjekje për ta mbrojtuar atë nga, siç thotë ai, kërcënimi duke shtuar se trajtimi i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit për siguri kombëtare.