Shkruan: Arsim Sinani
Një shqetësim i madh e ka pushtuar koalicionin qeverisës në Maqedoni Veriore. Ardhja e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, i ka vendosur në një ankth partitë shqiptare në Qeveri.
Ata që i njohin rrethanat politike e kanë të qartë se kryeministri Albin Kurti ka ardhur në një moment mjaft të rëndësishëm duke e rikthyer çështjen shqiptare në tavolinë. Pasi partitë shqiptare në Qeverinë e Shkupit nuk kanë arritur që ta realizojnë as minimumin e mundshëm me numrat që shqiptarët i kanë.
Avokatët e pushtetit si Bujar Osmani që me qiri s’po arrijnë që ti afrohen zyrave të Qeverisë së Kosovës, nga dëshpërimi i madh del me deklarata fëmijërore, e s’ka ditë që nuk lutën për takime. Tjetri Arben Taravari pa e kuptuar as ai vetë, është bërë një zëdhënës i Ali Ahmetit dhe dështimeve të tij, duke harrur se pikërisht LVV e kishte mbështetur dhe numrat që sot i kanë në Parlamentin e Maqedonisë veriore janë edhe mbështetje e Kurtit dhe miqve të tij. Ky përshesh i qeverisjes në Maqedoninë Veriore ska se si mos të jetë i tillë dhe të ketë shenja të sëmundjeve kronike duke u bërë artikules të interesave maqedone dhe duke e harruar çështjen shqiptare. Përveç interesave individuale nuk kanë ndonjë kërkesë politike për shqiptarët.
Nëse do të më duhej të shkruaj më gjatë do të më duheshin shumë faqe për të treguar sesi asnjë rezultat nuk kanë shqiptarët e Maqedonisë Veriore, as edhe një.
Më duhet të ngris disa çështje kapitale të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore si: Pse shqiptarët nuk janë themelues të Maqedonisë Veriore ? Si ka mundësi janë kaq të paqëndrueshme partitë shqiptare në pushtet BDI dhe Aleanca. Ky do të ishte momenti i mirë pasi me këto numra në Parlament, pa shqiptarët s’mundet të kalojë asgjë.
Por e çuditshme, në vend të unitetit partitë shqiptare në pushtet merren me gjëra të kota, pasi kanë probleme serioze me besueshmërinë dhe rënie të madhe, të gjitha sondazhet tregojnë se do ikin në amshim.
Them se ky do të ishte momenti për të realizuar lehtësisht shqiptarët atë që iu mohua nga 1945, 1992, 2001 e deri më sot. Por çuditërisht Ali Ahmeti dhe partneri i tij strategjik, dr. Arben Taravari shihen të emocionuar nëpër manifestime, pa pasur ndonjë program të qartë se çfarë duhet të realizojnë. Në opinion mbizotëron mendimi se dr.Taravari, i cili thoshte për Ali Ahmetin se ka problem me shëndetin, çuditërisht u kthye në pacient të tij politik. Prandaj i frikëson Albin Kurti.
Çështja tjetër që Albin Kurti po e ngrit në heshtje është rruga Tetovë-Prizren. Ai jo vetëm që i ka kryer të gjitha përgatitjet me Qeverinë e Kosovës për tu ndërtuar rruga, me aktin nga fashti Vejcë po përcjell mesazh të qartë deri te Shkupi zyrtar se shqiptarët do të veprojnë që ajo rrugë të jetësohet. Sipas asaj që kam si informacion Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij e pengojnë ndërtimin e kësaj rruge posaçërisht pas takimit të këtij të fundit me Aleksandër Vuçiqin në margjina të Ballkanit të dështuar.
Ministrat e Ali Ahmetit po e pengojnë jetësimin e këtij projekti. Të rikujtoj se projekti sërb për ta kontrollu qendrën e Ballkanit ka pas në qendër asimilimin në aksin që kalon nëpërmjet Malit Sharr dhe projektin e kësaj rruge Tetovë-Prizren e sheh si forcim të faktorit shqiptar. Gjë që sërbëve ju pengon dhe duan aleatë në Shkup, e fatkeqësisht këtë e ndihmojnë ministrat e BDI-së, duke mos vepruar.
Çfarë politike e dobët, Malësia që e mbeshteti në 2001 tani është bërë makth për pushtetin, që në vend se të ndërtojnë, vetëm kanë diferencu shqiptarë tani e 23 vjet. Por tani titistë e enveristë janë bërë bashkë me BDI-në dhe ia kanë zvetnuar fuqinë politike këtij subjekti politik, që ka lëvizur nga ideali që e solli në pushtet sot e 23 vjet.
Albin Kurti, ata që e dijnë ka lidhje të forta me shqiptarët e Maqedonisë Veriore, i njeh problemet mirë, disa nga aktivistët më të fortë i ka prej këtu dhe shumë gjëra tjera. Albin Kurti nuk është naiv siç mund të mendojë dikush në Shkup, por, vjen për t’i zgjuar shqiptarët që me padashjen e tyre në vend që të jenë faktor në qendër, janë bërë shikues i gjithë zhvillimeve.
Albin Kurti ka një plan të qartë për çështjen shqiptare dhe kështu duhet ta kuptojë gjithësecili pasi doktrina e tij e zhvillon shqiptarin dhe forcon në rajon.
Ata që mendojnë se po bën politike janë të lodhur nga pushteti i pafund, mes tyre fëmijë komunistësh dhe bashkëpuntorë të pushteve jugosllave e maqedone, që e duan çështjen shqiptare, pa ide, pa vision thjeshtë si numër, pa kërkesa.
Nuk është fundi i botës për askend se çështja shqiptare në Maqedoni Veriore po merr një kuptim që i mungon një kohë të gjatë. Edhe ardhja e opozitës shqiptare në pushtet vetëm se e ndihmon çështjen shqiptare.
Albin Kurti jo vetëm se po e hap rrugën që e kanë mbajtur të kyçur brenda Akademia e Shkencave e Maqedonisë Veriore, e ndikuar nga Serbia, por Kurti po sjell një frymë që do t’i bëjë shqiptarët themeltar në Maqedoni Veriore.
E rruga Tetovë-Prizren lipset të bëhet, sepse Maqedonia Veriore del në Adriatik, këtë duhet ta kuptojnë mirë të gjithë ata që antenat i kanë kah Beogradi. Ka përfunduar koha kur shqiptarët ishin të pafuqishëm. Është koha për të menduar me kokë të kthjelltë, e partitë vijnë e shkojnë, pushteti u mbetet shqiptarëve.
Albin Kurti po e rikthen në lojë çështjen e pambyllur shqiptare në Maqedoni Veriore, një gjest që shqiptarët e kuptojnë, prandaj edhe do të pritet si hero. Opozita e ka shansin e mohuar të bëjë rotacionin, por me program, e jo si 23 vjet që kemi vetëm fjalë, me shumë pak projekte për shqiptarët.
Albin Kurti po vjen t’i shpëtoj shqiptarët e harruar nga zyrat e Shkupit e pazaret e ndërkombëtareve duke i përdor shqiptarët, e shqiptarët në Maqedoninë Veriore e mbajnë këtë vend në drejtim të Perëndimit me çdo çmim.