Albin Kurti ‘zgjedh’ personalisht nënkryetarin dhe Sekretarin e Vetëvendosjes

Para më shumë se një jave, Lëvizja Vetëvendosje zgjodhi Albin Kurtin kryetar të partisë. Megjithatë këtu nuk kanë përfunduar të gjitha proceduar e konsolidimit të partisë.

Në Vetëvendosje janë disa pozita që ende nuk kanë ‘pronar’. Partia nuk ka nënkryetar të parë dhe sekretar organizativ të zgjedhur.

Sipas statutit të kësaj partie, një prej përgjegjësive të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje është edhe propozimi për nënkryetarin e parë të partisë dhe sekretarin organizativ të Vetëvendosjes.

Të dyja këto pozita janë vakante në Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të dorëheqjeve të Dardan Molliqajt si sekretar organizativ dhe Dardan Sejdiut si nënkryetar i parë i partisë, ani pse si ushtrues detyrë Ismajl Kurteshi po e udhëheq sekretariatin e VV-së.

Në nenin 73 të Statutit të VV-së thuhet se Kryetari i propozon Këshillit të Përgjithshëm Nënkryetarin e parë Sekretarin Organizativ në mesin e shumë pozitave tjera në parti.

Pra, është në dorë të kryetarit të zgjedhur Albin Kurti të vendosë për njeriun e dytë të partisë, e i cili do të votohet pastaj në Këshillin e Përgjithshëm.

Ndërsa, ‘vullnetin e hekurt’ siç po e thotë shpesh Kurti, do ta përdorë edhe për propozimin e sekretarit organizativ, që njëjtë si nënkryetari do të votohet pastaj në Këshill të Përgjithshëm.

Ndërsa nënkryetari i dytë i partisë do të propozohet në mesin e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe do të votohet po nga ata anëtarë.

Zëdhënësja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti tha për KALLXO.com se ende nuk është vendosur se kur do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm.

Megjithatë Vetëvendosje nuk e ka bërë të qartë nëse në këtë mbledhje e parë të Këshillit do të përfundojnë procedurat e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe sekretarit organizativ.

Momentalisht pozitën e nënkryetares së dytë të Vetëvendosjes e mbanë Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Lëvizja Vetëvendosje së fundi është ballafaquar me shumë probleme të brendshme e ku ka pas një numër të madh të dorëheqjeve, të cilat po rrezikojnë të ndajnë partinë.

Kryetari i sapo zgjedhur i Vetëvendosjes, Albin Kurti për herë të parë pas problemeve të brendshme në këtë parti, ka folur për emisionin Jeta në Kosovë ku ka ‘rrëfyer tregimin e tij’ për problemet që Lëvizja që ai e ka themeluar është përballur që një kohë të gjatë.

Këtu mund ta shihni intervistën e plotë të Albin Kurtit.