“Alfa”, familjarët e të dënuarve kërkojnë drejtësi: Dy vite presim rigjykimin e rastit (Video)

Ndonëse Gjykata Penale në Shkup, në fillim të këtij viti vendosi që të refuzojë rigjykimin e rastit “Alfa”, familjarët e të dënuarve në këtë rast nuk i kanë humbur shpresat se procesi do të nis nga fillimi dhe do të zbardhet e vërteta, shkruan gazeta LAJM. Jetulla Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit, të dënuarit me burg të përjetshëm në rastin “Alfa”, tha se qëllimisht po zvarritet ndriçimi i rastit pasi sipas tij, ka shumë prova për pafëjsinë e të dënuarve.

“Megjithëse ka gati dy vite që kemi bërë kërkesë për rigjykimin e rastit, kjo çështje po zvarritet. Po presim çdo ditë që të fillojë rigjykimi i rastit por akoma nuk na japin përgjigje të saktë për këtë çështje. Ne kemi pritur që ky rast të zbardhet më shpejtë por dikush si duket po e pengon këtë proces, apo ndoshta edhe politikanëve nuk i konvenon prandaj edhe zvarritet ky rast, për të cilin ka shumë dëshmi për pafajësinë e të burgosurve”, tha për gazetën LAJM, Jetulla Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit, i dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Alfa”.

Kohë më parë, avokatja Artene Iseni, njoftoi se ka ankimuar në Gjykatën e Apelit, vendimin e fundit të Gjykatës Penale në Shkup, e cila më 26 janar të këtij viti, vendosi që të refuzojë rigjykimin e rastit “Alfa”.

“Kemi bërë kërkesë për përsëritjen e procedurës si mjet i jashtëzakonshëm juridik. Edhe pse Gjykata e Apelit ka dhënë udhëzime të qarta se lënda duhet të përsëritet, Gjykata Penale e ka refuzuar kërkeskën për përsëritjen e procedurës. Vendimin do ta ankimojë në afat prej 3 ditësh në Gjykatën e Apelit dhe do të kërkojë që rasti sërish të kthehet në rigjykim. Gjykata ka thënë se Maqedonia nuk posedon pajisje për zbardhur videon e shfaqur në opinion pasi rezulucioni është shumë i dobët. Por, Byroja për Ekspertiza ka dhënë përgjigje positive se mund ta bëjë, por Gjykata nuk e ka pritur”, ka thënë muaj më parë avokatja Artene Iseini.

Më tej ajo ka sqaruar se, njëri nga të dënuarit me burg të përjetshëm në këtë rast, Agim Islami është dënuar vetëm me dy prova që, sipas saj, janë të pabaza. “Agim Islami është i dënuar me burg të përjtshëm në bazë të dy provave, njëra është mbetje e cigares (filteri) që u gjet jashtë veturës, te fshesat e dritares, të cilën cigare e ka pirë një femër dhe Agimi, dhe kjo cigare është gjetur shumë kohë pas ngjarjes. Shtrohet pyetja, a është ruajtur ADN-ja e Agimit pas një kohë kur është gjetur dhe a ka pas kushte të përshtatshme atmosferike për tu ruajtur ADN-ja e tij? Dhe, prova tjetër është një konzervë pashteteje, e gjetur në fshatin Përnjarcë në të cilën gjykata konkludon se ka ADN të Agimit edhe pse në atë pashtetë nuk ka gjurmë papilare të gishtërinjëve, pra gjykata supozon se e ka ngrënë si kafshë vetëm pse i ka mbetur pështyma. Vetëm me këto dy prova është dënuar përjete Agimi”, tha avokatja Artene Iseini për gazetën LAJM.

Më 26 nëntor të vitit 2008, në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti policor Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi, kurse të plagosur mbetën dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi. Me nëntë vjet burg u dënua Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në këtë vrasje, kurse me burg te përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljani, i cili ishte në arrati, por më vonë u ekstradua në Maqedoni për ta vuajtur burgun.