Azir Aliu nga radhët ASH-së, krahu i Taravari, në konferencën e sotme për shtyp tha se Kongresi i jashtëzakonshëm që do të mbahet të dielën nga krahu i Selës në ASH është i jashtëligjshëm.
Aliu tha se sipas statusit, Kongresi mund të thirret vetëm me kërkesë të kryetarit të partisë ose me kërkesë të 2/3 të përbërjes së Kuvendit të partisë.
Ai ka publikuar shkeljet stature dhe ligjore:
(I) Shkelja e parë e Statutit është bërë me vetë thirrjen e Kuvendit të Partisë, ku është shkelur neni 71 pika c që përcakton përgjegjësitë e Kryetarit të Kuvendit në lidhje me konvokimin e mbledhjeve të Kuvendit, ku në STATUT thuhet: “Kryetari i Kuvendit në koordinim me Kryetarin e Partisë, vendosin për pikat e rendit të ditës të mbledhjeve të Kuvendit të Partisë”.
(II) Iniciativa për shkarkimin e Kryetarit të Partisë duhet të bazohet në parimet e nenit 50 të statutit, KU THUHET: “Kryetari i Partisë shkarkohet në këto raste:
1. Shkelje e rëndë e Statutit dhe Platformës së Partisë,
2. Nëse dënohet me burgim për kryerjen e ndonjë vepre penale,
3. Në rast të dorëheqjes vullnetare,
4. Në rastet kur shëndeti i tij e pamundëson kryerjen e funksionit të Kryetarit”.
(III) Po ashtu, është shkelur rëndë neni 49 i cili përcakton qartazi dhe thotë si në vijim: “Arsyeshmërinë juridike-statutare në lidhje me iniciativën për shkarkim [të Kryetarit] e interpreton Komisioni Statutar”, meqë nuk është kërkuar interpretim nga Komisioni statutar i zgjedhur nga Kuvendi i Partisë me vendimin 42-02/2023 të datës 21 janar 2023, në përbërje: Ardian Limani – kryetar dhe me anëtarë Syrija Rashidi, Bashkim Bakiu, Kujtim Neziri dhe Adnan Neziri.
Gjithashtu, përbërja e Komisionit statutar nuk ka ndryshuar dhe nuk mund të ndryshohet, sepse i njëjti zgjidhjet sipas nenit 145, i cili thotë “… Komisioni statutar propozohet nga Kryetari i Partisë…” ku Kryetari i Partisë, z. Taravari, nuk ka propozuar komision të ri.
(IV) Për të vlerësuar ligjshmërinë e votimit të iniciativës për shkarkimin e Kryetarit të Partisë, duhet verifikuar listën e anëtarëve të Kuvendit të pranishëm në mbledhje, meqë sipas nenit 48 të statutit, “iniciativën për ndërprerjen e mandatit të Kryetarit e ndërmerr 2/3 e përbërjes së Kuvendit të Partisë”. Rrjedhimisht, duhet verifikuar në bazë të listës së kuvendarëve të pranishëm, nëse:
(I) Kuvendi pa pasur kuorum; dhe
(II) nëse për këtë iniciativë, kanë votuar së paku 96 kuvendarë legjitim nga 143 sa janë të evidentuar.
Megjithatë, marrë parasysh faktin se 75 kuvendarë kanë nënshkruar mocionin në përkrahje të kryetarit TARAVARI, dhe sipas njohurive tona, nga këta 75 nënshkrues, vetëm kuvendari Bekim Pocesta ka marrë pjesë në këtë mbledhje në SHKUP e organizuar nga SELA, (dhe ka votuar kundër iniciativës), mund të konkludohet se numri maksimal i kuvendarëve legjitim të pranishëm në këtë mbledhje ka mund të jetë prej 69 kuvendarë (69 ne përkrahje të Selës dhe 75 në përkrahje të Taravarit). Pra, vërtetohet se vendimi nuk është sjellur sipas procedurës të lartpërmendur, gjë që përbën shkelje të rëndë të Statutit të partisë.
(V) Neni 31 përcakton se seanca e jashtëzakonshme obligative e Kongresit “thirret në rastet në vijim: 1. Me kërkesë të Kryetarit të Partisë, 2. Me kërkesë të 2/3 të përbërjes së Kuvendit të Partisë”.
Thirrja e Kongresit të jashtëzakonshëm që duan ta organizojnë ditën do të bëhet sipas procedurës së pikës së 2-të, meqë Kryetari Taravari nuk ka bërë kërkesë. Lirisht mund të konstatojmë se është shkelje e rëndë e Statutit të partisë për shkak se në thirrjen e Kongresit nuk kanë votuar 2/3 e Kuvendarëve, por kanë votuar vetëm 69 kuvendarë, ndërsa kjo shkelje përbën vepër penale për shkak të manipulimit të listës së kuvendarëve”, theksoi Aliu. (INA)
Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga kryetari Arben Taravari ka shumicën në Kongres, Kuvend dhe në Kryesi dhe çdo vendim i sjellur nga organet e partisë është sipas Statutit. Përveç shkeljeve statutare që janë konfirmuar dhe që janë në proces të konfirmimit, vendimet e nxjerra nga i ashtuquajturi Kuvendi i 10 shkurtit 2024, mund të përbëjnë edhe vepra penale në rast se vërtetohet se për iniciativën për shkarkim të Kryetarit, si dhe për thirrjen e Kongresit nuk kanë votuar 2/3 e kuvendarëve legjitim të Kuvendit të partisë.