Alternativa vendos sot: A do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar LSDM-BDI?

Vendimi përfundimtar nëse partia e Afrim Gashit, Alternativa, do të jetë pjesë e Qeverisë do të merret sot në seancën e organit më të lartë partiak – Këshillit Qendror.

Kryetari i partisë Afrim Gashi deri më tani ka pasur tre takime me kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev për të diskutuar për pjesëmarrjen e Alternativës në Qeveri dhe për mbështetjen e katër deputetëve të tyre.

Liderët e LSDM-së dhe Alternativës janë jashtëzakonisht të përmbajtur për përmbajtjen e bisedimeve, por në publik spekulohet se Alternativa do të ketë mundësinë të menaxhojë ministritë të shëndetësisë dhe bujqësisë, por nuk konfirmohet nëse këto ishin kërkesat e kësaj partie.

Mbledhja partiake do të fillojë sonte në ora 19 në selinë e kësaj partie.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetin Artan Grubi pret që Alternativa të jetë pjesë e qeverisë.

“Pres që “Alternativa” të jetë pjesë e mazhorancës parlamentare dhe e koalicionit qeveritar sepse ndajmë të njëjtat vlera. Ata gjithashtu duan ta shohin Maqedoninë të integruar në BE, mbështesin anëtarësimin në NATO, mbështesin zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kornizës. Nuk kemi dallime në interesat strategjike të shtetit. Ne kemi nevojë për një riorganizim të qeverisë, jo një kabinet krejtësisht të ri”, tha mbrëmë Grubi për TV24.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se nuk pajtohet me negociatat që ka Alternativa për të hyrë në Qeveri.

” Alternativa i humbet vlerat me mbështetjen e Qeverisë dhe kjo për mua është joparimore”, theksoi mbrëmë Mickoski në emisionin debatues në TV Alsat.(INA)