Ambasadori i Turqisë në Shqipëri: Populli turk pranë vëllezërve shqiptarë

Qeveria e Republikës së Türkiyes vazhdon mbështetjen dhe ndihmat për institucionet e ndryshme të Shqipërisë. Gjatë ditës së sotme është bërë dorëzimi i mjeteve të ndryshme që do të përdoren në Shqipëri për nevojat e punimeve të ujitjes, kullimit dhe punimeve të tjera.

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Frida Krifca, në ceremoninë e dorëzimit, tha se bëhet fjalë për mjete shumë të rëndësishme që i nevojiten jo vetëm strukturës së ministrisë që ajo drejton, drejtorive të ujitjes dhe të kullimit në veprimtarinë e tyre të përditshme, por u nevojiten edhe bashkive.

“Janë të domosdoshme dhe vijnë në një moment të rëndësishëm. Shqipëria në zonën e qarkut të Shkodrës dhe të Lezhës po përballet me një situatë të vështirë të përmbytjeve, por që aktualisht është nën kontroll. Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin tuaj dhe të qeverisë turke e cila është gjithmonë krah për krah me Shqipërinë, gjithmonë na vjen në ndihmë kur duhet”, tha Krifca, duke iu drejtuar ambasadorit turk.

Mes tjerash ajo shtoi se në ministrin të cilën e drejton mbrojtja nga përmbytjet dhe investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit është një prioritet i rëndësishëm.

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan, Atay në fjalën e tij theksoi se shpreson që me dorëzimin e këtyre mjeteve do vijnë në ndihmë përgjatë reshjeve të dendura dhe të minimizohen edhe përmbytjet.

“Si Türkiye kemi qëndruar pranë Shqipërisë vëlla, një partnere strategjike, qoftë në ditë të vështira e qoftë ato të mira. Ajo që dua të theksoj është që populli turk do të vijojë të qëndrojë pranë vëllezërve shqiptarë në çdo situatë”, u shpreh ambasadori Atay.

Mjetet të ardhura si donacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Ujërave pranë Ministrisë turke të Bujqësisë dhe të Pylltarisë përfshijnë dy ekskavatorë, dy fadroma, një buldozer dhe katër pompa emergjence.

Ditëve rajone të caktuara të Shqipërisë janë përmbytur pas vërshimeve të shkaktuara nga rreshjet e dendura.TRT