“Amerika do të përgjigjet me sulme shkatërrimtare nëse Rusia përdorë armë bërthamore”

Amerika do të përgjigjet me “sulme shkatërrimtare” ndaj ushtrisë ruse nëse Vladimir Putin përdorë armë nukleare në Ukrainë, ka paralajmëruar ish-komandanti i ushtrisë të Shteteve të Bashkuara në Evropë, shkruan Daily Mail.

Gjenerali i pensionuar Ben Hodges tha sot se jo çdo përgjigje e amerikës “mund të jetë nukleare”, por paralajmëroi se nëse Putin përdorë armë bërthamore në Ukrainë, atëherë ShBA mund të tentojë “të shkatërrojë flotën ruse në Detin e Zi ose bazën ruse në Krimea”.

Komentet e tij erdhën pasi që presidenti rus nxiti një valë të reagimeve përreth botës, teksa ai njoftoi për “mobilizim të pjesshëm” të forcave rezervë të ushtrisë për të vazhduar pushtimin vrastar të Ukrainës.

Dhe, në një paralajmërim rrëqethës të drejtuar drejt liderëve të NATO-s, despoti i dëshpëruar rus insistoi se ai do t’i përdorte të gjitha mënyrat e nevojshme për të mbrojtur territorin e pushtuar ose që pritet të aneksohet para se të kërcënonte me përdorim të armëve bërthamore.

Gjenerali Hodges, që kishte komanduar ushtrinë amerikanë në Evropë gjatë viteve 2014 -2018, theksoi se mundësia që Putin të urdhëronte sulme bërthamore në Ukrainë “është shumë e vogël”.

Ai tha se përdorimi i këtyre armëve strategjike do të përballej me një reagim të shpejtë dhe të fuqishëm nga presidenti Biden.

“Putin e di se ShBA do të përgjigjet nëse Rusia përdorë armë bërthamore”,tha Hodges për MailOnline.

“Përgjigja amerikane mund të mos jetë bërthamore… por mund të jetë një sulm shkatërrimtar që, për shembull, mund të shkatërrojë flotën ruse në Detin e Zi ose të shkatërrojë bazat ruse në Krimea”.

“Prandaj, unë medoj se Putin dhe njerëzit e tij do të hezitojnë të tërheqin drejtpërdrejt ShBA-të në luftë”, shtoi ai. /