“Amnistia Penale” rrezikon të mos kalojë sot në Kuvend, 84 votat në pikëpyetje! PD bojkoton seancën

INA
INA

22/02/2024

VALENTINA MADANI/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përsëriti një ditë përpara seancës plenare se “Amnistia penale” nuk do të përdoret për të nxjerrë nga burgu zyrtarë të korruptuar, veprat e të cilëve po hetohen nga Gjykata e Posaçme e Antikorrupsionit.

“Flitet për lëndë e çështje që aktualisht janë në duart prokurorisë, ose ende pa u gjykuar nga sistemi i drejtësisë. Nuk ka amnisti penale mbi ndjekje penale për asnjë nga veprat që po hetohen dhe gjykohen në Gjykatën Speciale”, – tha ministri.

Apelin e tij Manja e pati për opozitën, pa të cilën maxhoranca nuk siguron dot në Kuvend 84 votat e nevojshme për ta miratuar projektligjin.

“Të mos kushtëzohet vota nga axhenda të vogla politike… Pres reflektim”, – deklaroi ai. Por pavarësisht këtij apeli, të dyja grupimet brenda radhëve të demokratëve ishin të prera, teksa kushtëzuan votën e tyre. E teksa dakordësia duket e pamundur, ky projektligj nuk do mund të kalojë sot në seancë plenare për shkak të mungesës të 84 votave. Nga ‘Amnistia penale përfitojnë rreth 700 persona të dënuar dhe 2500 të tjerë në shërbim prove. Kategoria që përfitojnë ulje shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar.

Për të qartësuar opinionin publik lidhur me projektligjin, ministri Manja tha se amnistia ndahet në dy komponentë, amnisti nga dënimi dhe amnisti mbi ndjekjen penale.

“Nuk ka amnisti mbi ndjekjen penale për asnjë nga veprat që po hetohen dhe po gjykohen në Gjykatën Speciale. Amnisti mbi ndjekjen penale ka për të gjitha veprat penale që aktualisht janë në duart e prokurorisë apo sistemit gjyqësor dhe që dënohen deri në 2 vjet burgim, pra kundravajtje penale. Por edhe sa u takon kundravajtjeve penale, ka përjashtime. Nuk do të amnistohen nga ndjekja penale pavarësisht se janë kundravajtje veprat penale që kanë të bëjnë me nderin dhe dinjitetin e individit, apo me dhunën në familje, apo dhunën me bazë gjinore”, – theksoi Ulsi Manja.

Sipas ministrit, amnistia ka disa parime mbi të cilat bazohet dhe disa nga to janë ai i humanizmit, parimi i arritjes së qëllimit të dënimit, parimi i mbrojtjes së interesit publik dhe parimi i eficencës së sistemit të drejtësisë.

“Kur flasim për amnisti mbi dënimin ka dy kategori të dënuarish, një kategori që përfitojnë nga amnistia dhe një kategori të dënuarish që nuk përfitojnë nga amnistia. Në këtë projektligj amnistie kategoria e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia mbi dënimin për shkak të kufizimeve që ka mbi veprat penale për të cilat ato janë dënuar nga drejtësia ne kemi ndjekur traditën e të gjitha amnistive, pra ne i zbresim 1 vit nga dënimi të gjithë të dënuarve burra dhe 1 vit e gjysmë të gjithë të dënuarve gra e të mitur. Ky ka qenë drafti që qeveria ka adresuar në Komisionin e Ligjeve”, – sqaroi Manja.

Sipas tij, për këtë çështje ka pasur amendamente nga shumë deputetë. Një prej tyre, sipas tij, ka qenë që në kategorinë e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia, por përfitojnë ulje të dënimit të përfshihet edhe kategoria e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme me vendim të formës së prerë. Argumenti i Komisionit dhe i deputetëve në Komisionin e Ligjeve ka qenë që nëpërmjet këtij rregulli të përgjithshëm dhe këtij parimi kushtetues të sigurohet neni 18, pika 1 e Kushtetutës, barazia para ligjit sepse i njëjti i dënuar, i dënuar me të njëjtën vepër, me të njëjtën masë dënimi nga gjykata e juridiksionit të përgjithshëm i ulet me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit dhe i njëjti i dënuar për të njëjtën vepër me të njëjtën masë dënimi nuk përfiton nga ulja e dënimit thjesht dhe vetëm se është dënuar nga Gjykata e Posaçme. Më lejoni t’ju them amnistia është mbi dënimin dhe mbi veprat dhe nuk lidhet me kompetencat e gjykatës me të cilën është dënuar personi”, tha Manja.

Më tej ai sqaroi se “ekspertiza e Komisionit të Ligjeve që kujdeset ky komision edhe për të siguruar parimet e tjera kushtetuese që lidhen me amnistinë dhe ku parimi i barazisë para ligjit është parim themelor kushtetues ne dhamë dakordësinë për këtë amendament. Por kjo nuk do të thotë se jemi refraktarë në këtë drejtim sepse qëllimi jonë ka qenë i qartë me draftin që kemi çuar në Komisionin e Ligjeve”.

Basha: S’do marrim pjesë

Kryetari demokrat, Lulzim Basha, njoftoi se Partia Demokratike nuk do të marrë sot pjesë në seancën parlamentare kur do të votohet ligji për Amnistinë Penale.

Sipas tij, një ligj i tillë po përdoret nga mazhoranca me qëllim amnistimin e zyrtarëve të dënuar apo janë nën hetim. E vetmja mënyrë për të kaluar ligji, sipas Bashës, është tërheqja e mazhorancës nga ky qëndrim dhe nëse pranohen propozimet e opozitës për të amnistuar pa kusht të gjithë protestuesit. Lulzim Basha u shpreh dje se kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të vendosur mburojat qeveritare në funksion të pandëshkueshmërisë. Në një deklaratë për shtyp, ai tha se amnistia penale e propozuar nga PS amniston zyrtarët e korruptuar dhe jo protestuesit që janë ngritur për të mbrojtur pronën e tyre.

“Kjo është një goditje e pastër në punën e drejtësisë. Dua ta bëj fare të qartë që PD jo vetëm nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të bëjë gjithçka brenda dhe jashtë vendit për të treguar dhe faktuar se kërcënimi kryesor ndaj avancimit të Reformës në Drejtësi dhe në luftën ndaj pandëshkueshmërisë sot është Edi Rama dhe qeveria e korruptuar”, – u shpreh ai.

Basha bëri me dije se grupi i tij i deputetëve nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare, ku pritet të kalojë ligji për amnistinë. Ai u shpreh se PD-ja do ta rishikojë pozicionin e saj vetëm nëse pranohen kushtet e saj, që të gjithë protestuesit të amnistohen.

“PD nuk do marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe pa diskutim është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht PD në funksion të interesit më të mirë publik dhe në transparencë të plotë do të rishikojë vendimin e saj”, – u shpreh Basha.

Kujtojmë se dy ditë më parë socialistët kaluan me votat e tyre në Komisionin e Ligjeve draftin e integruar të “Amnistisë penale”, e cila që të miratohet në Parlament kërkon 84 vota që shumica socialiste nuk i ka. Komisioni parlamentar i Ligjeve i dha dritën jeshile të martën draftit për amnistinë penale. Kjo i hapi rrugën që projektligji për amnistinë penale të kalojë për shqyrtim të enjten në Parlament. Që ajo të miratohet duhen 84 vota. Aktualisht shumica socialiste nuk i ka ato. Nuk dihet nëse sot do të arrihet një dakordësi me grupimin e Lulzim Bashës.

Gjasat duken të pakta, pasi Basha theksoi dje se deputetët e PD-së nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme parlamentare, pasi projektligji synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar nën hetim, të akuzuar apo dënuar.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

azilkerkues-1

Të rinjtë të zhgënjyer me programet e kandidatëve për president

fe129fe1-3078-4efd-9213-990bfd8c0762

Taravari: Bujar Osmani vonë i ra pishman për “Ballkanin e Hapur”

IMG_1121

Presidenti Begaj takoi akademikun Rexhep Qosja

Unbenannt-21-978x500

Aksident i rëndë në Gjermani, shoferi i kamionit nga Maqedonia

XHAFERI

Xhaferi: Maqedonia e Veriut është shembull në rajon për implementimin e barazisë gjinore

BE bruksel EU Bashkimi Evropian Unioni

BE do të ndajë rreth 750 milionë euro për NVM-të në Ballkanin Perëndimor

pompa-benzines-derivatet-naftes

Publikohen çmimet e reja të derivateve të naftës në Maqedoni

burgu

Arrestohen 17 pjesëtarë të Policisë së Burgjeve në Maqedoninë e Veriut

derivate nafta dizeli benzin

A do të rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni pas ngjarjeve në Lindjen e Mesme?

INFO

NA NDIQ