Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është disktuar të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Në këtë takim ishin të ftuar zyrtarë nga Presidenca, nga Kryeministria, ministra e përfaqësues të partive politike e shoqërisë civile, ku u dhanë pikëpamje të ndryshme lidhur me ASK-në.
Ambasadori Jeffrey Hovenier theksoi se nuk mbështesin asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës.
Në anën tjetër, kërkuan që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente. Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”, u shpreh Hovenier.
Pas takimit, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), thanë se e mbështesin dhe e inkurajonë Qeverinë e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Duke komentuar takimin e 31 janarit, analisti politik në Amerikë, Binak Maxharraj, thotë kjo çështje tanimë është bërë çështje botërore.
Kërkesën për formimin e Asociacionit, Maxharraj, e sheh si skandal “sui generis”, të papranueshëm dhe fatal për Kosovën.
“Si do te sillet tani Escobar më opozitën?!/S’ka nuk mund të gjenden partner alternativ për Asociacionin/. Çështja e formimit te Asociacionit një etnik serb sikur është bërë çështje botërore. Për te po flitet që nga Brukseli, Londra, Berlini Parisi e deri në Amerikë. Të gjithë po bëjnë trysni që ky Asociacion të ndodhë sa më parë sipas marrëveshjes së nënshkruar më 2013/2015 nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Por këto marrëveshje për themelimin e Asociacionit një etnik serb Gjykata kushtetuese i ka hedhë poshtë si anti kushtetuese. Por, megjithatë nga ndërkombëtarët po kërkohet që kjo të realizohet. Me Serbinë janë nënshkruar mbi 33 marrëveshje të cilat Serbia nuk i ka zbatuar gati asnjë dhe si për çudi ndërkombëtarët nuk reagojnë fare, por e kanë lidhë qykën te Asociacioni një etnik serb, pra në kundërshtim me qëndrimet e botës perëndimore për Kosovën multietnike. Kërkesa ndërkombëtare që të prishet multietniciteti i Kosovës është një skandal sui generis, i pa pranueshëm dhe fatal për Kosovën”, deklaron Maxharraj.
Analisti politik kritikon të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Gabriel Escobar, pasi që sipas tij ai nuk vepron si diplomat.
“Por, trysni po vazhdon e sidomos nga emisari special i SHBA-ve Gabriel Escobar i cili i “prishi rraqët” me qeverinë e Kosovës e në veçanti me kryeministrin Albin Kurti i cili kategorikisht e kundërshton këtë Asociacion në baza etnike sepse në të ardhmen e atakon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, ashtu siç po ndodhë në Bosnjë me Republika Srpsa e cila tani veç është një mini shtet në shtetin e Bosnjës duke i ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me qeverisjen qendrore. Dhe për këtë askush nga ndërkombëtarët nuk reagon veç shikojnë seri. Gabriel Eskobar ashtu siç nuk i ka hije një diplomati u mrrol iu prish “qehjra u idhnu dhe u dëshpëru” pa masë sa fillojë me ofendimet ndaj qeverisë së Kosovës duke thënë atë se çfarë nuk pritej nga ai, që nuk pritej nga një diplomat duke theksuar se nuk ka punë me një “individ dhe një parti” duke harruar qëllimshëm se nuk është fjala për një individ dhe person, por është ajo qeveria e Kosovës legjitime e zgjedhur me mbi 50% të votave. Dhe, ai shkoi edhe më tutje duke theksuar, duke e anashkaluar qeverinë e Kosovës se ”do te gjejë partnerë alternativ” për të formuar Asociacionin një etnik serb”, pohon analisti.
Sipas tij, është interesante të shihet reagimi i Escobar ndaj opozitës, kur edhe kjo e fundit nuk e përkrahu asociacionin dhe formimin e tij.
“Si rrjedhojë e krejt kësaj me siguri ka kërkuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë që të mbajë një takim që të kërkohet mundësia e gjetjes së ”ndonjë partneri alternativ” për t’i kryet punët rreth këtij Asociacion famoz serb. Ambasadori amerikan në Kosovë Neffrey M.Hovenier sot e mbajti takimin me pozitën, opozitën, shoqëritë civile, me shoqëritë civile serbe dhe me individ. Pas më shumë se dy orësh diskutime nuk u arritë ajo se çka kërkonte dhe priste Gabriel Escobar, se në këtë tubim ashpër do të thehen shtizat midis pozitës dhe opozitës dhe se në këtë “përleshje” të dilte një partner alternativ për të krijuar Asociacionin, ani pse hulumtimi i rrugëve të tilla për gjetjen e partnerëve alternativë është anti kushteues, i pa bazë dhe i pa vlefshëm. Ndodhi ajo qe realisht duhet të ndodhte, nuk është gjetur asnjë partner alternativ që do të mendonte ndryshe për Asociacionin një etnik serb, por në këtë takim mbizotëroi uniteti midis pozitës dhe opozitës, e cila fuqishëm e përkrahu qeverinë e Kosovës për qëndrimet e saja rreth formimit të Asociacionit, kundër ishin vetëm serbet që edhe pritej. Është interesant të pritet se si do të reagojë emisari Gabriel Escobar ndaj opozitës e cila në këtë takim në Ambasadë i përkrahu qëndrimet e qeverisë së Kosovës. Me siguri se është tepër i dëshpëruar”, përfundon Maxharraj.BotaSot