Sermet Sulejmani
ANATOMIA E NJË DEBATI POLITIK
(Ose: kur arsyeja humb dhe budallallëku bëhet argument)
Në një vend të vogël e të ndarë në pashallëqe, si dikur nën perandorinë Osmane, ku budallallëku i politikanëve e ka shndërruar jetën tonë të përditshme në një maratonë ankthi, skena politike vazhdon me ritmin e saj neveritës: debat të nxehtë disa mujore për pushtet, moral dhe për atë kush ka “të drejtë”, dhe ku gjithmonë flitet në emër të popullit, por asnjëherë në shërbim të tij, tashmë ka politizuar tërë habitatin tonë shqiptar.
Në një nga këto përballje që ndodhin përnatshëm, një natë në një studio televizive, ”u përballën”dy analistë – një që përkrahte shumicën dhe tjetri të djathtën. U përplasën ”ashpër” për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit. Si gjithmonë, nuk po flitej për programe, vizione apo nevoja konkrete të qytetarëve përballë një krizë globale. Jo!
Tema ishte shumë më “filozofike”: Kush ka të drejtë të qeverisë në një vend ku të gjithë pretendojnë se e përfaqësojnë të drejtën, sakaq të dyja palët akuzonin njëra-tjetrën për budallallëk dhe kokëfortësi?
Analisti i pakicës e nisi me një perlë retorike, që do t’ia kishin zili edhe shkrimtarët me romanet më të mira satirike:
“Shumica nuk ka kurrë të drejtë, sepse ajo përbëhet nga njerëz mediokër dhe aty ka më shumë budallenj.”
Një deklaratë e fortë që hedh poshtë vetë parimin e demokracisë, përmes një logjike të ”hollë” dhe delikate që, nëse do të zbatohej me përpikëri, do ta shpallte vetë folësin të paligjshëm, meqë edhe në kampin e tij ka budallenj.
Analisti i shumicës, për të mos mbetur prapa në garën për absurditet, e kundërshtoi me një tjetër “argument të arsyeshëm”:
“I nderuar, budallenj ka edhe tek pakica!”
Qe një kundërpeshë e denjë për një diskutim që më shumë i ngjante një konkursi paradoksi sesa një debat politik. Me këtë logjikë, qytetari shqiptar do të duhej të zgjedhë: nga cilët budallenj do të qeverisej? Nga shumica e kokëmushkë, apo nga pakica e hollë ”të leckosur” nga fukarallëku?
Në vijim, gazetari që përkrahte pakicën shtoi edhe një përgjigje ”logjike”:
“Po, por ama, tek pakica ka më pak budallenj.”
Dhe kështu, ndërsa qytetarët para ekraneve televizive prisnin lajme për uljen e çmimit të rrymës, apo për ndonjë ndihmë ekonomike a për ndonjë plan për rimëkëmbje, klasa politike dhe mediatike në pashallëkun tonë po prodhonin ide të reja: klasifikimin e budallenjve sipas përkatësisë partiake. Një version politik gati i ngjajshëm me atë të seleksionimit natyror të Darvinit, ku mbijetojnë jo më të fortët, por më të sofistikuarit në retorikën e stërholluar që iu gatuhet miletit tonë.
Ky debat, ndonëse i zhvilluar në kulmin e një krize të sigurisë botërore, u përshkrua me një saktësi kirurgjikale anatomisë së jetës politike në pashallëqet tonë në Ballkan. Dëgjuam: shumë zëra, pak mend dhe aspak përgjegjësi. Një debat shterp, që nuk synohej t’ia ndriçonte hallet qytetarit për shtetin që u derdh gjak, por t’i hidhte edhe më shumë terr mbi kokë, duke e kthyer demokracinë në një farsë të lodhur.
Por mbase, në gjithë këtë absurditet, gjendet edhe një grimcë e vërtetë. Ndoshta. Mbase shumica vërtet ka më shumë budallenj, për aq kohë sa vazhdon t’i japë legjitimitet një politike që e përçmon dhe e mashtroi ‘pafundësisht’. Dhe ndoshta pakica vërtet ka të drejtë, për aq kohë sa di ta bllokojë shumicën më lehtë se sa një bari në Çakorin e largët .
Por në fund të fundit, nuk është fjala për shumicë apo pakicë, të djathtë apo të majtë, por për një realitet ku budallallëku është bërë monedhë qarkullimi, dhe ku qytetari i thjeshtë është i detyruar të zgjedhë midis versioneve të ndryshme të të njëjtit mashtrim.
Epo, boll më! Boll më me këtë lojë të ndyrë në kurriz të popullit të lodhur, sepse në fund do të mbeteni vetëm ju politikanët… dhe ca budallenj me sahanë. Por dijeni se edhe sahani një ditë thahet. Dhe kur ai thahet – budallai zgjohet.