Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, doli para mediave në zonën e shtypit të “Stamford Bridge” për të analizuar ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Ka skuadra më të mësuara për të luajtur më shumë natën sesa ditën, – tha trajneri i bardhë.
– Historia thotë se Real Madridi është mbreti i kompeticionit. Edhe ne jemi pjesë e vogël e kësaj historie. Jemi të motivuar, si gjithmonë… Këto janë ndeshje të rëndësishme në një kompeticion të rëndësishëm. Duhet të luajmë një ndeshje të plotë, sepse kanë mbetur edhe 90 minuta dhe gjithçka mund të ndodhë. Ne do të jemi gati të luajmë sa më mirë.
Është e vështirë ta them tani formacionin startues sepse mund ta ndryshoj. Kjo është një skuadër që më ndryshon mendjen shumë herë. Camavinga? Është mirë dhe mund të luajë në të majtë të mbrojtjes sonë”.
Gjysmëfinalja e katërt me Real Madridin? Mendoj se në këtë klub jemi shumë të qartë për atë që duhet të bëjmë. Jo gjithmonë fiton, por gjithmonë duhet të garosh deri në fund. Nëse konkurrojmë si përherë, mund të luajmë një gjysmëfinale tjetër… Nëse arrijmë atje, kemi bërë mirë”.
Dy fjalë edhe mbi interesimin për Bellingham: “Ai është një lojtar i Borussia Dortmundit. Mua nuk më pëlqen të flas për lojtarë nga ekipet e tjera”.
Pozicioni Kroos: “Mënyra e tij me topin në zotërim nuk ndryshon shumë nëse luan si strumbullar apo nga brenda. Në fund të fundit, të gjithë duhet të mbrojnë. Ky është futbolli modern, të 11 lojtarët duhet të mbrojnë. Rinovimi? Ai është një legjendë, ruan nivel të shkëlqyeshëm dhe shpresoj që ta mbyllë karrierën te Real Madridi”.