Manchester City-Real Madrid ishte padyshim ndeshja më e pritur e mbrëmjes së djeshme në mesin e ndeshjeve të para të “play-off”-it të Champions League.
Ishte një ndeshje “kërcitëse”, me përmbysje të vazhdueshme rezultatesh nga njëra anë dhe tjetra, derisa Jude Bellingham heshti tifozët vendas dhe goditi Pep Guardiolën.
Carlo Ancelotti doli nga “Etihad Stadium” me një fitore që të lë pa frymë 3-2, por kualifikimi për në 1/8 finale mbetet ende për t’u siguruar. Gjithçka do të vendoset në duelin e kthimit në “Bernabeu”. Duke folur për “Movistar”, trajneri i Real Madridit komentoi:
“Jam i qetë dhe i lumtur, padyshim. E bëmë mirë pjesën e parë të raundit kualifikues, morëm një epërsi të vogël dhe duhet të shkojmë me optimizëm në ndeshjen e kthimit. Ndeshja shkoi mirë, por ishte e kompletuar nga të gjitha aspektet. Ne u mbrojtëm mirë, të gjithë punuan, ishim efektivë përpara, patëm shumë mundësi, zhvilluam një ndeshje të plotë”.
Mungesa e mprehtësisë: “Fitorja është e merituar. Ne ishim shumë të rrezikshëm në sulm, katërshja e përparme ishte shumë efektive. Mund të ishim më të saktë, por krijuam mundësi me lëvizshmërinë dhe cilësinë e sulmuesve tanë. Unë nuk i kritikoj asgjë kësaj ndeshjeje”.
Ndeshja e kthimit në Madrid: “Nuk do të ndryshojë ideja e tyre si e përgatitën këtë ndeshje, nuk do të ndryshojë as e jona. Theksoj se ne u mbrojtëm mirë, disa herë që u kapëm nga nxitimi për të shtypur, na lënduan”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.