Ancelotti pas fitores: Ishte një ndeshje e barabartë, Barcelona nuk ishte superiore

Carlo Ancelotti bëri vlerësimin e El Clasicos, në të cilën Real Madridi mposhti Barcelonën në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.

Los Blancos triumfuan me rezultat 3-2 pas vazhdimeve ndaj Barcelonës, pasi loja e rregullt u mbyll me barazim 2-2.

Golat në këtë përballje u shënuan nga Vinicius Junior, Karim Benzema dhe Federico Valverde për Realin, ndërsa për Barçën shënuan Luuk de Jong dhe Ansu Fati.

“Mendoj se skuadra është e përgatitur për këtë lloj ndeshjeje. Ishte një ndeshje shumë e barabartë. Ne ishim shumë efektivë në fillim dhe në kundërsulme”, ka thënë fillimisht Ancelotti.

“Nuk pësuam gola për shkak të lodhjes. Kundërsulmi ishte shumë efektiv. Imazhi i mirë i futbollit spanjoll. Barcelona luajti mirë dhe ndeshja ishte shumë e barabartë. Na shkaktuan probleme në krosime, diçka që zakonisht nuk e bëjnë”.