Andin Hoti, djali i veprimtarit të njohur Ukshin Hoti, ka reaguar fuqishëm ndaj komenteve dhe paragjykimeve që pasuan propozimin e tij nga Albin Kurti për postin e ministrit të Mirëqenies dhe Familjes në Qeverinë “Kurti 3”.
Në një postim të gjatë dhe të sinqertë, Hoti flet për hipokrizinë e atyre që e lidhin respektin ndaj një personi me përkatësinë politike, për zhgënjimet e përjetuara dhe për vendosmërinë e tij për të menduar e vepruar lirshëm.
“Fatkeqësisht, sot duhet të dal nga heshtja ime e zakonshme dhe të them disa bindje që i kam mbajtur për shumë kohë brenda vetes”, shkruan Hoti.
Ai falënderon për urimet dhe kritikat njerëzore, por shpreh neveri ndaj disa reagimeve që i quan të ulëta dhe hipokrite.
“Shprehje si: ‘Deri sot kam pas respekt për ty si djalë i Ukshin Hotit, por prej sot jo më’, apo ‘E korite emrin e babës’, nuk tregojnë as shqetësim, as dashuri për idealin. Ato vetëm e zhveshin nga çdo vlerë njerëzore respektin e rremë që disa paskan pasur.”
Sipas tij, është e neveritshme kur respekti ndaj një njeriu lidhet me bindjen politike.
“Unë paskam qenë ‘i mirë’ sa kohë mendoja si ti, dhe ‘i keq’ sapo mendova vetë. Kjo nuk është as respekt, as ideal – kjo është hipokrizi.”
Hoti kujton edhe periudhën e pasluftës dhe sfidat që ka kaluar familja e tij, duke theksuar se shumë prej atyre që sot e kritikojnë, dikur as nuk e njihnin.
“As ju, as askush tjetër, nuk ma imponon bindjen. Nuk e shes, nuk e ndërroj dhe nuk e negocioj. Unë jam aty ku dua të jem, ku e shoh të drejtë të jem, ku mendoj se mund të jap kontribut për vendin.”
Ai shton se ndonëse ndonjëherë ka heshtur për të ruajtur respektin, kjo nuk duhet ngatërruar me dobësi.
“Ndoshta heshtja ime e gjatë ka krijuar përshtypjen se jam tabelë qitjeje. Por jo, nuk jam. Thjesht kam dashur të ruaj respektin, edhe kur ai ishte i rremë.”
Në fund, Hoti përmbyll me reflektim personal:
“Nuk e di nëse do të vazhdoj të jem ai që nuk jam, por uroj që nëse ndonjë ditë bëhem ai që jam, të jem përsëri i matur.”