Stabilizimi i çmimeve të produkteve primare, zvogëlimi i mëtejmë në furnizimin, por edhe kushtet e shtrënguara financiare ndërkombëtare që do të zvogëlojnë kërkesën duhet të kontribuojnë në stabilizimin e normave të inflacionit këtë vit, thotë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.
Në intervistën për “Dojçe vele”, guvernatorja thekson se ulja e presionit nga çmimet e importit, veçanërisht të energjensave dhe ushqimit, do të jetë më e rëndësishmja për inflacionin e brendshëm. Angellovska-Bezhoska vlerëson se masat e ndërmarra nga Banka Popullore duhet të kontribuojnë në stabilizimin e pritjeve të inflacionit, si faktor i rëndësishëm që ndikon në inflacion, si dhe do të ndikojnë në një pjesë të indeksit të inflacionit, ajo që është më e ndjeshme ndaj ndryshimeve të kërkesës.
“Nisur nga parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për stabilizimin e çmimeve të produkteve primare në bursat botërore dhe pritshmëritë për zhvillimin e politikave makroekonomike, parashikohet një ngadalësim i inflacionit me çka këtë vit kjo do të arrihej në 8 deri në 9 për qind dhe në planin afatmesëm inflacioni do të vazhdojë të ulet, duke u ulur në nivelin 2.4 dhe 2 për qind në vitin 2024 dhe 2025”, thekson Angellovska-Bezhoska dhe shton se pritjet janë konform parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare për uljen e inflacionit global dhe të brendshëm këtë vit.
Lidhur me masat e ndërmarra nga Banka Popullore, guvernatorja thekson se Banka qendrore në fund të vitit 2021 ka filluar të ndërmarrë më shumë masa.
“Mënyra dhe intensiteti i reagimeve nga Banka qendrore varet nga natyra e inflacionit, përkatësisht nga kontributi i faktorëve individual që ndikojnë në të, nga strategjia monetare dhe nga instrumentet me të cilat disponojnë”, thotë Angellovska-Bezhoska.
Rreziqet për këto projeksione, veçanërisht në lidhje me lëvizjet e ardhshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, siç thekson ajo, janë ende të theksuara, për shkak të pasigurisë në lidhje me kohëzgjatjen e luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të dëmeve të mundshme të mëtejshme nga efektet e pandemisë që vazhdojnë ende.