Anglia me fitore të thellë ndaj Uellsit, ShBA mund Iranin me rezultat minimal – të dyja avancojnë tutje

Kanë përfunduar edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të fazës së grupeve në Kupën e Botës, që po zhvillohet në Katar.
Në kuadër të rrethit të dytë të fazës së grupeve, brenda grupit B, Uellsi u përball me Anglinë, ndërsa Irani me ShBA’në, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Anglia e mposhti me lehtësi kundërshtarin e saj, Uellsin, me rezultat 3-0.
Gjysma e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, derisa në pjesën e dytë, ishte Marcus Rashford, i cili e zhbllokoi rezultatin, duke e kaluar Anglinë në epërsi në minutën e 50-ë
Epërsinë e dyfishoi Phil Foden, në minutën e 52, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi prapë Rashford, sulmues i Manchester United (’69).
Uellsi pati disa mundësi por megjithatë nuk arriti të depërtonte në portën e Jordan Pickford të Anglisë.
Me këtë fitore, Anglia u pozicionua e para në grupin B, me gjithsej shtatë pikë, kështu duke siguruar avancimin në 1/8 e finales.

Në anën tjetër, ndeshja mes ShBA’së dhe Iranit nuk përfundoi me rezultat të thelluar, pasi në 93 minuta lojë, u shënua vetëm një gol, transmeton Reporteri.net.

Gjatë gjithë lojës, amerikanët ishin më kërkues, pasi medoemos u duhej fitorja për ta vazhduar garën.
Derisa po zhvillohej minuta e 38-ë e lojës, Christian Pulisicin realizoi gol nga afër, me asistim të Sergino Dest.

Amerikanët shënuan edhe një tjetër gol në kohë shtesë, por u anulua për pozicion jashtë loje.

Por, kaq i mjaftoi ShBA’së për t’u kualifikuar nga faza e grupeve, e cila përfundimisht u rendit e dyta, me pesë pikë, dy më pak se Anglia.

Irani me tri pikë mbeti i treti, ndërsa Uellsi me një pik e mbylli në vendin e fundit.