Anglia siguron kualifikimin, fitore bindese ndaj Uellsit

Anglia u rikthye te fitorja, pasi mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Uellsin në derbin britanik të Katar 2022 dhe siguroi kalimin për në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, ku do të përballet me kampionin në fuqi të Afrikës, Senegalin.

Marcus Rashford ishte padyshim heroi i “tre luanëve” mbrëmjen e sotme, pasi shënoi golin e parë dhe të tretë, ndërsa emrin të listën e golashënuesve e shkroi edhe talenti i Manchester City-t, Phil Foden.

Anglia dominoi gjatë gjithë 90-minutëshit, por sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 50’ me një goditje dënimi spektakolare të Rashford, ndërsa dy minuta më vonë Foden dërgoi topin në rrjetë për hreë të dytë, para se sulmuesi i Man. United të shënonte edhe të dytin personal në të 68-ën.

Anglia mbyll kështu fazën në grupe si kryesuese me 7 pikë të grumbulluara në tre ndeshje, 9 gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar, ndërsa në turin tjetër do të gjejë përballë Senegalin, që u rendit i dyti në grupin A.