66.7 për qind e muslimanëve të anketuar kanë besim në Bashkësinë Fetare Islame (BFI), nga të cilët 22.8 për qind thanë se kanë “besim të plotë”, dhe 43.9 për qind u përgjigjën se pjesërisht kanë besim në BFI.
Në anën tjetër, 4.8 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë fare besim në Bashkësinë Fetare Islame si institucion.
Këtë e tregon anketa e re e opinionit publik e bërë nga Instituti për hulumtime politike – Shkup (IPIS), portali i internetit Religija.mk dhe Fondacioni Konrad Adenauer.
Është një studim i specializuar i opinionit publik, i cili ka analizuar përgjigjet për rolin e BFI-së në shoqëri, besimin e saj tek muslimanët, si dhe rolin e Islamit në shoqëri.
Analiza tregoi se BFI gëzon besim të lartë tek besimtarët e saj në Maqedoninë e Veriut.
Në të njëjtën kohë, kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, gëzon besimin më të lartë tek besimtarët – 56,1 për qind e qytetarëve të anketuar kanë besim të plotë ose të caktuar tek ai. Edhe myftinjtë dhe hoxhallarët gëzojnë përqindje të lartë besimi.
Sipas përgjigjeve të mbledhura në anketë, muslimanët në Maqedoninë e Veriut më mirë do të kërkonin ndihmë për zgjidhjen e problemeve nga imami i tyre, sesa nga institucionet shtetërore që në fakt duhet të drejtohen për të ndihmuar në disa sfida me të cilat përballen qytetarët. Kështu, 35.8 për qind thanë se më mirë do të zgjidhnin imamin si alternativë për ndihmë në krahasim me 32.3 për qind që u përgjigjën se më mirë do të kërkonin mbështetje nga institucionet shtetërore.
Mbi 70 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se feja ka një ndikim të madh ose disi të madh në jetën e tyre të përditshme.
Në të njëjtën kohë, BDI konsiderohet si partia politike që besimtarët besojnë se ka ndikimin më të madh në BFI – gati 54 për qind besojnë se kjo parti ka ndikimin më të madh në BFI. Rreth 3 për qind e konsiderojnë Besën, 3 për qind Alternativa, ndërsa 2 për qind e të anketuarve kanë theksuar Aleancën për Shqiptarët si partinë me ndikimin më të madh në zgjedhjet në BFI.
Radikalizmi fetar është sfidë për myslimanët në vend – 10.5 për qind e të anketuarve besojnë se ekziston në një pjesë të madhe të popullsisë, ndërsa 25.4 për qind besojnë se radikalizmi fetar ekziston në një pjesë të caktuar të popullsisë.
Ndryshe nga hixhabi dhe veçanërisht burka, mbajtja e shamisë është e pranueshme për shumicën e muslimanëve në vend. 88 për qind besojnë se mbajtja e shamisë është një zgjedhje personale, pa ndikimin e dikujt afër jush apo të BFI-së.
Rreth 76 për qind e të anketuarve thanë se plotësisht ose disi e miratojnë mbajtjen e shamisë, 12 për qind thanë se deri diku nuk e miratojnë dhe 5 për qind thanë se nuk e miratojnë fare mbajtjen e shamisë.
Hulumtimi konfirmon se pjesa më e madhe, pra 98,7 për qind e myslimanëve në Maqedoni i përkasin islamit sunit dhe shumica dërrmuese – 94,8 për qind e tyre deklarohen si fetarë ose disi fetarë.
Në këtë kontekst, përqindja e atyre muslimanëve që praktikojnë agjërimin është e lartë – 51 për qind “gjithmonë agjërojnë” dhe 29.9 për qind “ndonjëherë agjërojnë”.
Anketa është realizuar në maj dhe qershor të këtij viti dhe në të janë përfshirë 1116 të anketuar.(INA)