Maqedonia e Veriut ka marrëdhëniet më të mira me Serbinë dhe më të këqijat me Bullgarinë.
Këtë e bën të ditur sondazhi i fundit i realizuar nga Instituti i Shkupit për Kërkime Politike për “Detektor”.
Sipas sondazhit, 56.5% e qytetarëve besojnë se vendi ka marrëdhëniet më të mira me Serbinë.
Në vendin e dytë është Shqipëria me 11.3% dhe në vendin e tretë është Turqia me 3.3%, Kosova është diku 3%, e ndjekur nga Kroacia me 2.6%, Sllovenia me 1.2%, Greqia me 1.1% dhe Bullgaria me 0.9%.
Sipas përkatësisë etnike, 72% e maqedonasve thonë se marrëdhëniet më të mira i kanë me Serbinë.
Afër 40% shqiptarëve të anketuar thonë se marrëdhëniet më të mira janë me Shqipërinë.
Sipas qytetarëve të anketuar, marrëdhëniet më të këqija janë me Bullgarinë. Këtë qëndrim e ndajnë 64.6% e të anketuarve. Pasohet nga Greqia me 9.2%, Shqipëria me 3.4%, Serbia me 2% dhe Kosova me 1.2%.
Anketa e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar përmes telefonit në periudhën prej 2 deri më 6 maj të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1112 të anketuarve.(INA)