Arbëreshi Anthony Albanese i fiton zgjedhjet në Australi

Partia Laburiste e Australisë do të rrëzojë konservatorët nga pushteti, ndonëse do të mund të formojë qeveri të pakicës, ka thënë transmetuesi australian, ABC.

Rezultatet fillestare tregojnë po ashtu se koalicioni i kryeministrit konservator, Scott Morrison dhe opozita laburiste, kanë humbur mbështetje ndërsa te partitë më të vogla, sikurse partitë e gjelbra dhe të pavarurit e fokusuar në klimë, ka ndodhur e kundërta.

Anthony Albanese pritet të jetë kryeministri i ri i shtetit, teksa Australia do të ketë Qeverinë e parë laburiste pas gati një dekade.

Kryeministri Morrison e ka pranuar humbjen.

“Besoj se është shumë e rëndësishme që ky shtet ka siguri. Mendoj se është shumë e rëndësishme që shteti të mund të ecë përpara”, ka thënë ai.

Asnjëra prej partive nuk pritet të fitojë minimumin prej 76 ulëseve në Parlamentin me 151 deputetë, mirëpo laburistët janë në rrugë për të fituar më shumë se 70 ulëse, ka thënë transmetuesi australian.

Edhe televizioni tjetër, Sky News, ka thënë se laburistët janë në rrugë drejt fitores.