Apel për kujdes këtyre ditëve në Shkup: Mos bini pre e skenarëve?!

0

Gazeta “Lajm”, apelon tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të jenë të kujdesshëm në situatën e krijuar në Shkup, pasi që ndërroi jetë i riu 21 vjeçar maqedonas, për të cilin thuhet se u rrah nga disa shqiptarë. Jemi në një situatë kur gjenden sërish në test para së gjithash prindërit e të rinjve që mund ta manipulohen dhe të nxiten në incidente të reja. Apeli ynë u drejtohet të gjithëve, pa dallim përkatësie etnike, ngjyre ose feje. Apeli u drejtohet edhe gjithë faktorëve elevantë, që të jenë të vetëdijshëm për pasojat. Apelojmë që ardhmëria e fëmijëve të vendoset para interesit eventual politik për të shkaktuar çrregullime.
Mirëpo Gazeta “Lajm”, njëjtë si shumë media tjera të pavarura, konsideron se këto incidente janë pasojë e tolerancës që tregoi qeveria e re, ndaj mbeturinave të “regjimit”. Këto mbeturina vazhdimisht kanë kultivuar frymën e urrejtjes dhe incidenteve ndërtenike, dhe falë kësaj fryme, kanë mbijetuar në skenë. (Si pasojë e kësaj fryme të kultivuar, mendojmë se kanë ndodhur dhe po ndodhin incidente me fund tragjik).
Mendojmë se kjo tolerancë e treguar mori edhe një jetë të re dhe na solli sërish buzë tensioneve që mendonim se i kishim lënë mbrapa.
Gazeta “Lajm” e “Lajm.TV”, si dhe shumë mediume tjera, që moti kanë paralajmëruar se ky tolerim po i krijon hapësirë mbeturinave të regjimit të konsolidohen dhe të vazhdojnë me skenarët e errët të së kaluarës, vazhdimisht duke pasur gojën plotë me “plane për ardhmërinë”.
Ato mbeturina kanë kapacitet destruktiv vetëm kur janë në pushtet. Kur janë jashtë qeverisë nuk kanë kurrfarë kapaciteti. Është i gabuar çdo perceptim se këto mbeturina do të reformohen nëse mbahen brenda pushtetit. Kjo nuk mund të ndodhë edhe po të donin vërtetë të reformohen, sepse “bishtin” e kanë të zënë me derë, e lëre më që nuk kanë kurrfarë vullneti për reformim.
Prandaj kjo tragjedi le të shërbejë si shkas që mbeturinat në fjalë të goditen ashpër dhe të përjashtohen urgjentisht nga qeveria, ose të mbahen me pjesëmarrje simbolike, pa ndonjë kapacitet për të bërë keq (sepse, mirë nuk dinë të bëjnë).
Vazhdimi eventual i tolerancës ndaj atyre mbeturinave nuk ka si të kuptohet ndryshe, përveç si interes edhe i qeverisë së re, për të vazhduar me skenarët e vjetër. Sqarim tjetër logjik nuk ka, nëse kemi parasysh se rrethanat e krijuara në Maqedoni mundësojnë funksionim komod të qeverisë edhe pa to (bile më mirë se me to).
Është me rëndësi të madhe që mbeturinat e “regjimit” të dobësohen në këtë periudhë të rëndësishme për Maqedoninë, kur na pret anëtarësimi në NATO. E dimë edhe ne, po e thonë njëzëri edhe përfaqësuesit kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare, se ka shtete dhe fuqi që u pengon ky anëtarësim dhe se do të bëjnë çmos për të krijuar destabilizim. Janë vendet dhe fuqitë drejt të cilave mundohej të na dërgojë “regjimi”, bashkë me mbeturinat gjoja të reformuara të “regjimit”.