Apeli, po rrënohet Kisha e Shën Barbarës dhe 6 monumente në Lezhë

0

Monumente të Kategorisë I në Lezhë, mbi 100 vjeçare, drejt rrënimit. Specialisti Paulin Zefi: Ministria të kryejë funksionin e saj, të ndërhyjë sa nuk është vonë! Deri tani, qeveria ka dhënë fonde vetëm për Katedralen e Shën Nikollit dhe njëkohësisht Vendvarrimi i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut

Anila Dedaj

Janë 7 kisha mbi 100 vjeçare në qytetin e Lezhës të cilat janë rrënuar nga mungesa e vëmendjes, harresa, pakujdesia apo nga abuzimet e ndryshme. Apelin për shpëtimin e tyre e bën Paulin Zefi, specialist i trashëgimisë kulturore. Monumentet e Kulturës i konsideron si vertebrat e shtyllës kurrizore të identitetit tonë kombëtar, ndaj si specialist, por edhe si qytetar, që i dhimbset vendi i tij, Paulin Zefi i bën thirrje Ministrisë së Kulturës të reagojë. Specialisti i trashëgimisë shprehet se në rrethana të tilla alarmante pret që Ministria e Kulturës të kryejë funksionin për të cilin është krijuar. “Pra, mbrojtjen, përkujdesjen dhe promovimin e çdo aseti të Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare”, shprehet ai duke theksuar se nesër do të jetë shumë vonë…

Zoti Zefi cilat janë konkretisht problemet që kanë 7 kishat e shpallura Monument Kulture të Kategorisë së Parë?

Brenda hapësirës territoriale të bashkisë së Lezhës kemi 7 objekte religjioze të kultit të krishterë, ose kisha katolike që gëzojnë statusin si Monumente Kulture të kategorisë së parë. Këto janë: 1)Katedralja mesjetare e Shën Nikollit dhe njëkohësisht Vendvarrimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, 2)Kisha e Shën Barbarës(Shën Barbullës) në fshatin Pllanë, 3)Kisha manastirore e Shën Aleksandrit(Sh’Lledrit) në kodrën e Bokionit, midis fshatrave Spiten dhe Pruell, 4)Kisha mesjetare e Shën Shtjefnit në fshatin Blinisht, 5)Kisha e Shën Premtes në fshatin Balldren, 6)Kisha e Shën Nikollit në fshatin Zejmen dhe 7)Kisha e Zojës së Papërlyer dhe Kolegji Françeskan i Troshanit. Përsa i përket Katedrales mesjetare të Shën Nikollit, këtu kemi hyrë në fazën e fundit të zbatimit të projektit të plotë restaurues, jo vetëm të këtij objekti, por gjithashtu edhe kompleksit të mbulesës monumentale dhe mureve antike ilire të Lisuss-it të poshtëm. Nëse i radhisim sipas rendit kronologjik, duhet të nënvizoj problematikat e shumta të Kishës së mrekullueshme të Shën Barbarës(Shën Barbullës) në fshatin Pllanë. Afresket e saj impresionuese, brenda e jashtë saj, dhe të punuara aq mjeshtërisht gjatë Mesjetës së vonë, po shpërlahen gradualisht si rezultat i mungesës së ndërhyrjeve dhe sidomos lagështirës së shkaktuar nga amortizimi i çatisë. Ngjyra blu e ndezur e muraleve të absidës dhe altarit gjysmë të rrënuar e kanë humbur plotësisht vezullimin e një dekade më parë, por gjithashtu mbi dysheme nuk gjenden vetëm copa dërrasash të kalbura që kanë rënë e po bien nga tavani tejet i amortizuar, por edhe fragmente qeramike nga tjegullat e çatisë. Pranë mureve gjenden fragmente të suvasë, llaçit të fugave dhe gurë të rënë nga muri. Dera kryesore është për të ardhur turp sa herë që aty vijnë për ta vizituar turistë të huaj nga vende të ndryshme të botës, të cilët për të arritur deri këtu ju duhet të përshkojnë një rrugë që më shumë ka pamjen e një shtegu malor apo një monopati, ku mund të udhëtohet me shumë vështirësi e vetëm me fuoristradë, ose më mirë në këmbë. Kisha manastirore e Shën Aleksandrit(Sh’Lledrit) në kodrën e Bokionit, e cila ndodhet midis fshatrave Spiten dhe Pruell, ka qenë kthyer në gërmadhë, por në vitet 2010-2011 këtu kanë ndërhyrë vetë banorët së bashku me priftin famullitar, duke ringritur në këmbë muret e rrafshuara në përjashtim të 50% të absidës dhe disa pjesëve pranë hyrjes së këtij objekti. Duke qenë se midis viteve 2011-2017 nuk është ndërmarrë asnjë lloj mase nga ana e Ministrisë së Kulturës, kjo e ka detyruar famullitarin e zonës dhe banorët që t’i përvishen punës për ndërtimin e çatisë dhe punimet kanë përfunduar në muajin maj të këtij viti. Në lidhje me Kishën mesjetare të Shën Shtjefnit në fshatin Blinisht, këtu është ndërhyrë pjesërisht nga ana e DRKK-Shkodër dhe IMK pasi problematikat që paraqiste ky objekt shumë i veçantë si në aspektin historik dhe atë arkitekturor, i kam ngritur intensivisht në Media krahas kërkesave të përsëritura për ta shpëtuar atë nga rrënimi i saj i plotë. Aktualisht vetëm 60% e strukturave murale janë në këmbë, prandaj është shumë e nevojshme edhe një ndërhyrje e dytë konservuese, konsoliduese dhe restauruese, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë hyrjes së Kishës, absidës dhe asaj çfarë ka mbetur nga muri verior. Përsa i përket Kishës mesjetare të Shën Premtes në fshatin Balldren, e cila njihet për pikturat e saj murale madhështore dhe stilin e veçantë arkitekturor të tipit romanik, problematikat kryesore lidhen me konsolidimin e qemerit mbi të cilin është vendosur çatia, restaurimin ose ripunimin e dy dyerve të saj, trajtimin e afreskeve,etj.

Komentet

komentet